Kacin: Raporti i Martit të hetohet nga EULEX
Bruksel, 7 shkurt - Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë Jelko Kacin, ka deklaruar se përveç bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës, që për Serbinë është kushti i të gjitha kushteve, nuk duhet harruar as çështjet e tjera të hapura si dialogu me Prishtinën dhe reforma e sistemit të gjyqësorit.
Në një intervistë për mediet serbe, Kacin ka përshëndetur gatishmërinë e sinqertë të zyrtarëve serbë që të fillojnë sa më parë dialogun me Prishtinën.
Por kur bëhet fjalë për raportin e Dik Martit për trafikim me organe njerëzore në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, Kacin ka thënë se kjo duhet të hetohet hollësisht nga EULEX-i, duke nënvizuar se çështjet e iniciuara në raport nuk guxojnë të shfrytëzohen për qëllime politike, nga asnjëra palë.