Kacin: Ndarja e Kosovës do përfshinte gjithë ish-Jugosllavinë
Bruksel, 1 qershor - Raportuesi i Parlamentit evropian për Serbinë, Jelko Kacin e ka cilësuar idenë e ndarjes së Koosvës si një nismë relevante që nuk do të rrezikonte vetëm një shtet por të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë, apo ato shtetet që kanë dalë nga kjo federatë.
Në një intervistë për radio Dukagjinin ai ka vlerësuar se pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, nuk ka pasur asnjë ndryshim të kufijve të brendshëm të shteteve që janë krijuar nga kjo federatë.
Hapja e këtyre temave, ku lidhet Kosova, mund të jetë bumerang për Bosnjën e Hercegovinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Të jem i sinqertë këtë ide nuk e shoh si nismë relevante, është shprehur Kacin.
Ndërkaq, duke u përgjigjur pyetjeve rreth ideve për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, raportuesi i PE-së për Serbinë tha se janë disa propozime dhe ide që unë do t`i quaja si reagim kur dikush përmend mundësinë e ndarjes së Kosovës dhe kjo është pasojë e saj.
Unë nuk besoj në një rikompozim të kufijve. Çdo prekjeje apo ndërhyrje reciproke në integritetin shtetëror do të ketë efekte të kthimit prapa në rrugën drejt të ardhmes. Kjo do të ishte edhe fundi i ëndrrës për anëtarësim në Bashkimin Evropian për këto vende.
Ajo që ne jemi duke e kërkuar është stabiliteti, produktiviteti dhe përmbushja e kritereve për anëtarësim. Prandaj çdo ide e tillë është kthim prapa nga realiteti, jo kthim në statusin e mëhershëm, por kthim në shekullin e XXI theksoi Kacin.
Ndërsa, pyetjes se nëse Kosova duhet të braktisë dialogun nëse Serbia insiston që të hapet ideja e ndarjes, Kacin ka thënë se nuk ka nevojë që Prishtina të braktis dialogun sepse ky proces është në interes të të dyja shteteve dhe të gjitha nacionaliteteve që jetojnë në këto dy shtete.