Kacin: Liderët e Serbisë të mos përfshihen në fushatë në Kosovë
Brukksel, 13 tetor - Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin, ka deklaruar se konferenca ndërqeveritare Bashkimi Evropian Serbia, mund të mbahet në muajin dhjetor, nëse Beogradi i përkushtohet zbatimit të marrëveshjes me Prishtinën, e veçanërisht për zgjedhjet lokale në Kosovë.
Kacin, mëtutje në intervistën për gazetën Dnevnik në Novi Sad, ka theksuar se liderët e Serbisë do të duhej të angazhoheshin në daljen sa më të madhe të serbëve në zgjedhjet lokale në Kosovë më 3 nëntor, e jo të përfshihen në fushatën parazgjedhore të listave të ndryshme.
U takon zgjedhësve që të vendosin se cilën listë do ta mbështesin, tha Kacin, dhe shtoi se konsideron se nuk është në frymën e marrëveshjes së Brukselit që shteti i Serbisë ta mbështesë një listë, pasi kjo duket si vazhdim i përkrahjes për të ashtuquajturat struktura paralele, por tash në formë tjetër.