Kacin: Jam i bindur për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi
Beograd, 10 prill - Raportuesi për Serbinë, eurodeputeti Jelko Kacin deklaroi se, marrëveshja midis Prishtinës dhe Beogradit do arrihet të premten. Siç transmeton \"Koha Ditore\" në Kosovë, sipas Kacin, tri ditët në vijim do të jenë shumë energjike, me shumë surpriza dhe vibracione pozitive.
Në një intervistë për ABC News, i pyetur nëse vazhdon të mbetet optimist që marrëveshja do të arrihet para 16 prillit, Kacin shprehet i bindur se ata do të arrijnë një marrëveshje, sepse sipas tij kanë investuar shumë në cilësi dhe në sasi për dialogun.
Ndaj, nuk dua të jem optimist, por realist se ata do të arrijnë një vlerë të shtuar të marrëveshjes për punë orësh. Unë pres, që ata të arrijnë marrëveshjen nga fundi i kësaj jave, sepse palët e dinë që Parlamenti Evropian do të votojë raportet për Serbinë dhe Kosovën javën e ardhshme, tha Kacin, transmeton QIK.
Ai tha se afati për të propozuar amendamentet është të hënën, kështu që nevojiten rezultate konkrete para të hënës. Kjo do të thotë të premten. Pra, le të themi se tri ditët që janë para nesh do të jenë shumë energjike, me shumë surpriza dhe vibracione pozitive. Ndoshta do të ketë një performancë folklorike, por e di që në fund të fundit, ne do jemi krenarë për atë që ata do të arrijnë.
Në konstatimin se, është përfolur një tip administrimi, që mund të zbatohej në veriun e Kosovës për çështjet e pronave, gjë që u zbatua në Kroaci për serbët nga 1995 deri në 1998, Kacin u përgjigj negativisht, duke thënë se veriu i Kosovës është rast unik, sepse Beogradi vazhdon ti ndajë serbët e Kosovës në dy kategori, kategoria e parë është veriu dhe kategoria e dytë janë serbët e enklavave.
Këta të fundit janë pjesë e zgjidhjes. Ata kanë 13 përfaqësues në parlament, duke përfshirë zëvendëskryetarin e Kuvendit dhe kanë tre ministra në koalicionin qeveritar duke përfshirë këtu edhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin përgjegjës për të zhvendosurit dhe personave të zhdukur. Gjithë çështja është se si të binden serbët e veriut që të bashkëpunojnë me serbët e enklavave. Pra, është një çështje serbe. Ndaj, ajo që për të cilën ne kemi nevojë është mesazhi i Beogradit për serbët e veriut, se toka e tyre është Kosova dhe jo Serbia, theksoi eurodeputeti slloven, Jelko Kacin.