Judah: Kosova fitoi pak në veri, por humbi në Bruksel
Prishtinë, 9 gusht - Analisti britanik, Tim Judah ka theksuar se ndërhyrja në veri ishte një bast i nxituar nga qeveria e Kosovës, e cila megjithatë u shpagua në një afat të shkurtër dhe pjesërisht.
Në një intervistë për Koha Ditore Judah ka theksuar se Kosova përfitoi pak në veri nga ndërhyrja, por humbi në Bruksel, duke u shfaqur si një partner i paparashikueshëm.
Mendoj se Prishtina humbi në Bruksel, duke u shfaqur si partner i paparashikueshëm. Kjo mund të ketë hidhëruar disa prej diplomatëve që duhet të merren me Kosovën."
"Natyrisht, disa në Kosovë mund të thonë: pse të çajmë kokën, sepse ne nuk kemi marrëdhënie kontraktuale me BE-në dhe asnjë hartë për liberalizim vizash, por ky është një argument që pret të dyja anët. Ata mund të mendojnë: janë të nxituar dhe nuk çajnë kohën për ne, janë më pak se 2 milionë, le të djersiten deri në fund të vetmuar, shprehet Judah.
Duke u përgjigjur pyetjes rreth EULEX-it, Judah tha se mund të ketë shumë arsye pse EULEX-i lë përshtypjen se nuk është fort i fuqishëm apo i suksesshëm në këtë rast.
Mendoj se do të ishte paksa e padrejtë që t`i biem me shqelm në kokë. Natyrisht, krimi i organizuar është një problem në veri, por në themel veriu është një problem politik dhe jo i policisë, u shpreh Judah