Jovanoviç: Serbia i ka borxh të madh Kosovës
Në një takim me elektoratin, Jovanoviç u shpreh se, konstatimet se gabimet e saj Serbia i ka lënë pas nuk janë të mjaftueshme.
Ne i kemi shumë borxhe Kosovës dhe Bosnjes. Nëse e duam vendin tonë, atëherë duhet tua shlyejmë atyre këtë borxh, në mënyrë që të krijojmë një shtet modern, më të bukur, më tolerant dhe më të hapur, që i duhet rajonit, ka thënë Jovanoviç.
Kryetari i Liberal Demokratëve u shpreh se po kandidon për president, në mënyrë që ti sjellë vendit një qeverisje ndryshe nga ajo e presidentit Boris Tadiç.
Tadiç ka bërë tepër kompromise aty ku nuk duhej dhe ka dëshmuar mungesë fuqie aty ku duhet të tregonte trimëri, deklaroi më tej kandidati i koalicionit Kthesa.
Jovanoviç shpalli kandidaturën për president tre ditë më parë, duke premtuar se do të sjellë një qeverisje ndryshe. Përveç tij dhe Boris Tadiç, i cili dha dorëheqjen nga posti i presidentit, për postin e kreut të shtetit në Serbi do të garojnë edhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç dhe lideri i Partisë Progresiste, Tomisllav Nikoliç.
Në fillim të muajit Jovanoviç ishte në Preshevë, ku u mirëprit nga banorët, të cilët i ofruan të pijë dhe i thanë se kur e shohin në televizor i gëzohen fjalimeve të tij.
Jovanoviç ishte serbi i parë që vizitoi Luginën e Preshevës në mënyrë miqësore, duke u thënë shqiptarëve se Serbia duhet bërë shtet shprese nga shteti i fatkeqësisë.