Josipoviç: Kroacia nuk ndërhyn në çështjen e Kosovës
Zagreb, 19 korrik - Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviç, gjatë një takimi në Beograd me presidentin serb, Boris Tadiç, ka deklaruar se shpresonte që autoritetet e Kosovës dhe të Serbisë, në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, të gjejnë një zgjidhje për problemet ekzistuese.
Ai ka shtuar se Kroacia nuk do të ndërhyjë në këtë çështje. Ai ka thënë se Kroacia e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe se nuk ka ambicie për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje me Serbinë, por ka shtuar se Qeveria dhe Ministria e Jashtme e vendit të tij me vëmendje po i përcjellin ndodhitë për këtë temë.
Ndërkohë, Tadiç ka përsëritur se Serbia në çfarëdolloj kushtesh dhe shantazhesh nuk do të pranojë që në mënyre direkte ose indirektë të njohë pavarësinë e Kosovës.
Ai ka thënë se Serbia pret nga vendet e rajonit që të jenë të përmbajtura dhe të mbështesin këtë qëndrim të Serbisë, ashtu "që zgjidhja e çështjes së Kosovës të bëhet përmes marrëveshjes dhe kompromisit".