Jordania e gatshëm ta ndihmojë Kosovën
Presidentja Jahjaga dhe Mbreti Abdullah, në një bisedë të gjatë dhe miqësore, theksuan rëndësinë e zhvillimit të marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve, thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, si dhe diskutuan për çështjen e konsolidimit të mëtutjeshëm ndërkombëtar të Kosovës dhe ndihmën që Jordania mund t'i japë në fushën e njohjeve të mëtutjeshme.
Presidentja Jahjaga e falënderoi Mbretin Abdullah për ftesën për të vizituar Jordaninë dhe mikpritjen e jashtëzakonshme dhe vlerësoi se vizita në Jordani mund të shërbejë për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Presidentja Jahjaga e përgëzoi Mbretin Abdullah për ulësen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Ajo tha se Kosova në gjashtëvjetorin e pavarësisë së saj, është konsoliduar si shtet dhe aspiron anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, në veçanti OKB, BE dhe në NATO.
Presidentja Jahjaga theksoi se është me rëndësi që edhe KS i OKB-së të vlerësojë të arriturat në Kosovë dhe ta shoh atë si një vend me demokraci të konsoliduar.
Duke folur për rëndësinë e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës dhe njohjet e deritashme të pavarësisë së saj, Presidentja Jahjaga vlerësoi se Jordania mund të ndihmojë në këtë fushë përmes ndikimit që ka në rajonin e Lindjes së Mesme dhe tek ato vende me të cilat ka marrëdhënie të mira bilaterale.
Ajo tha se Kosova është shndërruar në një faktor të rëndësishëm të paqes dhe stabilitetit në rajonin e Evropës Juglindore dhe po zhvillon marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha vendet e këtij rajoni.
Duke theksuar se me Serbinë janë arritur një numër marrëveshjesh gjatë dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe mbështetur nga SHBA-ja, Presidentja Jahjaga tha se ato duhet të zbatohen në tërësi dhe se normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë do të ndihmonte në përmbushjen e aspiratave të të dyja vendeve për anëtarësim në BE.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova dhe Jordania ndajnë vlera të përbashkëta kur bëhet fjalë për tolerancën ndërfetare dhe ato duhet të ndihmojnë njëra-tjetrën në kultivimin e këtyre vlerave dhe në përballjen me sfidat që mund të sjellin ekstremizmat në botë.
Mbreti Abdullah i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, e vlerësoi të rëndësishme vizitën e Presidentes Jahjaga, që kontribuon në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Ai tha se vendi i tij është i gatshëm ta ndihmojë Kosovën në proceset nëpër të cilat ajo po kalon duke e mbështetur në konsolidimin ndërkombëtar të saj dhe posaçërisht përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje të përgjithshme bashkëpunimi.
Mbreti Abdullah tha se Jordania mund të bashkëpunojë me Kosovën në fushën e shëndetësisë, bujqësisë, të arsimit dhe në atë të sigurisë.
Ai shprehu gatishmërinë e tij për të vizituar Kosovën në një periudhë të përshtatshme.
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, pas takimit me Mbretin Abdullah, është pritur edhe nga kryeministri i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, dr. Abdullah Ensour, me të cilin vlerësoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe vazhdimit të mbështetjes së Jordanisë për procesin e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës.