John Kerry emërohet nga Biden si i dërguar i posaçëm për klimën
Washington, 24 nëntor - Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden të hënën emëroi John Kerry-n, ish-sekretarin e Shtetit, si një të dërguar special presidencial për klimën për të udhëhequr luftën e vendit kundër ndryshimeve klimatike.
Kerry do të jetë zyrtari i parë i dedikuar për ndryshimet klimatike që do të ulet në Këshillin e Sigurimit Kombëtar (KSK) dhe roli i tij nuk do të kërkojë konfirmimin e Senatit.
Kjo pasqyron "angazhimin e presidentit të zgjedhur për të adresuar ndryshimet klimatike si një çështje urgjente e sigurisë kombëtare", bëri të ditur ekipi i tranzicionit të Biden-it në një njoftim ku ata njoftuan emërimin e Kerry me zgjedhjet e tjera kryesore për politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare.
"Sekretari Kerry ngriti sfidat mjedisore si prioritet diplomatik, nga oqeanet te hidrofluorokarbonet. Ai ishte arkitekti kryesor i Marrëveshjes Klimatike të Parisit dhe nënshkroi marrëveshjen historike për të ulur emetimet e karbonit me mbesën e tij në prehër", theksohet në njoftim.
"Amerika së shpejti do të ketë një qeveri që e trajton krizën e klimës si kërcënimin urgjent të sigurisë kombëtare. Jam krenar që bëhem partner me presidentin e zgjedhur, aleatët tanë dhe udhëheqësit e rinj të lëvizjes klimatike për ta marrë këtë krizë si i Dërguari i Presidentit për Klimën", tha Kerry në Twitter.
Kerry, 76-vjeçar, ka udhëhequr pjesëmarrjen e SHBA-ve në marrëveshjen e Parisit mbi ndryshimet klimatike midis viteve 2013-2017 kur ai shërbeu si sekretar i Shtetit i administratës së ish-presidentit Barack Obama.
SHBA nën presidentin Donald Trump zyrtarisht u tërhoq nga marrëveshja më 4 nëntor, një ditë pas zgjedhjeve të vitit 2020.
Biden në mënyrë të përsëritur ka thënë se ndryshimet klimatike do të jenë midis pikave të tij kryesore të agjendës si president, duke pritur të kthehet në Marrëveshjen e Parisit.