Jeremiqi lobon për rezolutën serbe për Kosovën
Beograd, 7 shtator - Serbia tenton që deri në momentin e fundit ti shfrytëzojë kanalet diplomatike për të lobuar për mbështetjen e rezolutës së saj për Kosovën, për të cilën Asamblea e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (KB) duhet të debatojë më 9 shtator.
Shefi i diplomacisë serbe Vuk Jeremiq prej sot gjendet në Nju-Jork, ku pritet të mbajë më shumë takime me përfaqësues të vendeve anëtare të KB-ve.
Serbia më 28 korrik parashtroi propozim rezolutë me të cilën Asamblesë së Përgjithshme e KB-ve i propozon konstatim lidhur me mendimin këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën.
Gjykata më 22 korrik përcaktoi se deklarata për pavarësinë e Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, me Rezolutën 1244 të KS të KB-ve, e as me rregullimin juridik ndërkombëtar të Kosovës.
Pas parashtrimit të rezolutës serbe, bashkësia ndërkombëtare, e kryesuar nga Bashkimi Evropian, përforcoi presionin mbi Beogradin zyrtar që ta tërheqë rezolutën, apo, nga ana tjetër, të pajtohet me përpilimin e tekstit të përbashkët të harmonizuar midis Serbisë dhe Bashkimit.