Jeremiç: Marrëveshjet me Kosovën në dobi të Serbisë
Beograd, 6 korrik - Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, ka deklaruar se Beogradi është i gatshëm të punojë në zgjidhjen e kontestit rreth Kosovës, edhe pse Qeveria serbe mbetet e vendosur që mos ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Ndër të tjera ai ka theksuar nëpërmjet një interviste se arrestimi i Ratko Mladiqit dhe përparimi në raport me Kosovën reflekton dëshirën e Serbisë për një Ballkan të qëndrueshëm, dhe jo presionin ndaj saj nga Bashkimi Evropian.
Po ashtu Jeremiç ndaluar edhe në dialogun Kosovë-Serbi, duke theksuar se përparimi në këtë dialog u arrit pasi negociatorët e Kosovës i moderuan kërkesat e tyre. I pyetur nëse Serbia e ndien presionin për të zgjidhur këtë situatë, Jeremiç tha se agjenda e Serbisë rreth Kosovës nxitet jo nga BE-ja, por nga përcaktimi i Beogradit që të zgjidhë disa çështje, kur bëhet fjalë për stabilizimin e rajoneve në Ballkan.
Ne nuk do ta pranojmë presionin por do të vazhdojmë të jemi konstruktivë nëse ekziston një proces që është i balancuar, tha Jeremiçi.
Ndër të tjera ministri i Jashtëm serb theksoi se me përjashtim të refuzimit për të njohur pavarësinë e Kosovës, Serbia ka qenë e gatshme për kompromis që nga fillimi i bisedimeve, dhe sugjeroi se arritjet e vogla që janë bërë në negociata të shtunën janë rezultat i vullnetit të rigjetur nga ekipi kosovar për të bërë të njëjtën gjë.
Ne e kishim këtë këndvështrim gjatë gjithë kohës. Jam shumë, shumë i lumtur që në fund të ditës të gjithë u përfshinë me të njëjtin qëndrim, përfundoi ai.