14 Maj 2025

Jakshiq: Bllokadat do të shtrihen në gjithë Serbinë

Beograd, 24 prill - Deputeti i DSS-së së Vojisllav Koshtunicës, nga Mitrovica, Marko Jakshiq, nëpërmes të një deklarate për mjetet serbe të informimit ka thënë se serbët e veriut të Kosovës do ta pengojnë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, me protesta, bllokada dhe me bojkotimin e zgjedhjeve lokale, të cilat do të organizohen me ligje të Kosovës.

Ai gjithashtu ka siguruar se protestat do të shtrihen në gjithë Serbinë, para së gjithash në Beograd. Sipas tij, Qeveria e Serbisë i ka tradhtuar serbët e Kosovës.

“Hapi i parë për të penguar zbatimin e marrëveshjes së Brukselit do të jetë bojkoti i zgjedhjeve lokale, të cilat do të mbahen me ligjet kosovare. Disponimi i popullit është i tillë, që bojkoti do të jetë i suksesshëm”, ka thënë Jakshiq.

Ai ka vlerësuar se protestat dhe bllokadat nga ana e serbëve të Kosovës do të shtrihen në gjithë Serbinë.

“Do të përpiqemi që rezistencën tonë nga veriu i Kosovës ta zhvendosim në Beograd, sepse tradhtia nuk është në Kosovë, por në kryeqendrën e Serbisë. Luftën politike do ta bëjmë më shumë në Beograd se në Kosovë, për shkak se rreziku kryesor për ne nuk vjen nga Prishtina, as nga Brukseli, por nga Beogradi”, ka vlerësuar Jakshiq, i cili ka siguruar se serbët e Kosovës nuk do t’i pranojnë dokumentet e “shtetit të vetëshpallur të Kosovës, sepse duan të mbesin në sistemin kushtetues e juridik në kuadër të Serbisë”.

“Në marrëveshjen që është nënshkruar në Bruksel, shkruan se serbët e Kosovës duhet të heqin dorë nga letërnjoftimet, dokumentet e automjeteve dhe patentë shoferët e Serbisë dhe të pajisen me dokumente të shtetit të Kosovës. Ne nuk dëshirojmë dhe nuk duam letra të një shteti tjetër, do ta respektojmë ekskluzivisht Kushtetuten e Serbisë”, ka thënë ai.

Duke komentuar për mundësinë që ndonjë nga partitë e serbëve të Kosovës, të cilat janë pjesë e institucioneve kosovare ta marrin pushtetin në katër komunat veriore, pas zgjedhje lokale, Jakshiq u përgjigj se një shumicë e tillë nuk do të jetë reprezentative.

“Në vlerësimin normal të sistemit, nëse në zgjedhje dalin më pak se 5 apo 20 për qind e qytetarëve, atëherë nuk ka shumicë reprezentative me legjitimitet që ta marrë pushtetin. Gjithmonë mund t’i gjesh tre serbë, të cilët për shkak të parave të dalin në zgjedhjet kosovare dhe të formojnë pushtet, por kjo nuk mund të jetë demokraci. Menyra e tillë e marrjes së pushtetit askund dhe asnjëherë nuk është pranuar”, ka përfunduar deputeti i DSS nga Mitrovica, Marko Jakshiq.

Ndryshe, serbët e veriut të Kosovës, në një miting që kanë organizuar të hënën në veri të Mitrovicës kanë hedhur poshtë marreveshjen e Brukselit, ndërsa kanë marrë iniciativën për formimin e kuvendit të veriut Kosovës.

Ndërkaq, të martën, zëvendëskryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, i ka ftuar serbët e Kosovës në unitet për zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)