Jahjaga u takua me Presidentin e Austrisë, Heinz Fischer
Prishtinë, 19 qershor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, po qëndron në vizitë shtetërore në Republikën e Austrisë, me ftesë të Presidentit të Austrisë, dr. Heinz Fischer.
Ajo u prit me ceremonitë më të larta shtetërore dhe sot pati takime me Presidentin Fischer dhe me kryetaren e Parlamentit të Republikës së Austrisë, Barbara Prammer.
Gjatë takimeve u bisedua për zhvillimin dhe avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Austrisë, për zhvillimet në rajon, si dhe theks i veçantë iu kushtua agjendës së integrimeve evropiane për Republikën e Kosovës.
Zyrtarët e Republikës së Austrisë i dhanë mbështetje të plotë Republikës së Kosovës në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon vendi dhe gjithashtu përshëndetën marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet dy kryeministrave për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke e parë këtë si të vetmen rrugë për gjetjen e zgjidhjeve për të gjitha çështjet.
Presidenti Fischer për nder të Presidentes Jahjaga dhe delegacionit të saj organizoi një drekë pune.
Presidentja Jahjaga gjatë vizitës në Austri mbajti një konferencë për media, ku theksoi rëndësinë e mbështetjes së Austrisë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, për avancimin e proceseve demokratike në vend si dhe politikave për sundimin e rendit dhe të ligjit.