13 Janar 2025

Jahjaga takoi Presidentin e Panamasë dhe të Kosta Rikës

Tegucigalpa, 28 janar - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, sot në Tegucigalpa të Hondurasit, zhvilloi takime të ndara me Presidentin e Panamasë, Ricardo Martinelli, Presidenten e Kosta Rikës, Laura Chinchilla, dhe Ministrin e Jashtëm të El Salvadorit, zotëri Jaime Miranda Flamenco.

Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Martinelli biseduan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, proceset demokratike nëpër të cilat po kalon shteti i Kosovës dhe për ndihmën që Panamaja mund t’i japë Kosovës në procesin e konsolidimit ndërkombëtar të saj.

Presidenti Martinelli theksoi se vendi i tij është i gatshëm që ta ndihmojë Kosovën në proceset nëpër të cilat po kalon ajo.

Në një bisedë miqësore, Presidentja Jahjaga dhe Presidentja Chinchilla, biseduan për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet dy vendeve dhe në veçanti për arritjen e marrëveshjeve të përbashkëta në fusha të ndryshme, si dhe për ndihmën që Kosta Rika mund t’i japë Kosovës në procesin e njohjeve në Amerikën Qendrore dhe atë Jugore.

Presidentja Jahjaga falënderoi ministrin Miranda për njohjen e Kosovës nga El Salvadori dhe theksoi se të dyja vendet duhet të vendosin marrëdhënie të mira ndërmjet tyre që do të ndihmonte në thellimin e bashkëpunimit. Ajo tha se ndihma e El Salvadorit për Kosovën është e nevojshme posaçërisht në konsolidimin ndërkombëtar të vendit në rajonin e Amerikës Qendrore dhe atë Jugore.

Gjatë ditës, Presidentja Jahjaga mori pjesë në një drekë zyrtare që  Presidenti i ri i Hondurasit shtroi për udhëheqësit e delegacioneve që morën pjesë në ceremoninë e inaugurimit presidencial, në mesin e të cilëve ishin edhe Presidenti i Panamasë, Presidentja e Kostarikës, Presidenti i Kolumbisë, Presidenti i Republikës Dominikane, kryeministri i Belizesë, ministri i jashtëm i El Salvadorit dhe Princi i kurorës i Spanjës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, po qëndron në Honduras, me ftesë të presidentit të ri Juan Orlando Hernández Alvarado, ku mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit presidencial. Në ditën e parë të qëndrimit në Tegucigalpa të Hondurasit, ajo u takua me presidentin e ri të zgjedhur.

Gjatë ceremonisë së inaugurimit, Presidentja Jahjaga ka takuar edhe liderë të tjerë pjesëmarrës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)