Jahjaga takoi guvernatorin e Iowa-s, Terry Branstad
Prishtinë, 16 qershor - Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga , në përfundim të vizitës së saj në shtetin amerikan të Iowa-s, pati një takim përmbyllës me guvernatorin e Iowa s, Terry Branstad, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, për këmbimin e përvojave dhe sidomos biseduan për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, të agrikulturës dhe të energjetikës si dhe në bashkëpunimin në fushën e arsimit.
Presidentja Jahjaga, duke treguar bashkëpunimin e mirë ndërmjet Gardës Kombëtare të Iowa-s dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili bashkëpunim do të konkretizohet edhe pasi të përmbushen kapacitetet operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha se ky shembull duhet të zhvillohet edhe në fushën e ekonomisë dhe në këmbimin tregtar, sidomos në fushën e agrikulturës dhe në fushën e energjetikës në të cilat shteti i Iowa-s, ka arritur rezultate të lakmueshme.
Presidentja Jahjaga, tha se ka krijuar përshtypje të mira gjatë vizitës në Fakultetin e Mjekësisë dhe sidomos ishte e impresionuar me hulumtimet që bëhen në këtë institucion të lartë si dhe me punën praktike që e zhvillojnë studentët, duke shfrytëzuar të arritura teknologjike dhe duke simuluar me robotët, duke i fituar kështu aftësitë e nevojshme, një përvojë e tillë do të ishte e mirëseardhur edhe për Universitet e Kosovës.
Guvernatori Branstad falënderoi presidenten për vizitën e bërë shtetit të Iowa-s duke theksuar se kjo është vizita e parë e një presidenti të një shteti që i bënë shtetit të Iowa-s, për çka ai dhe qytetarët e ndiejnë veten shumë të nderuar.
Ai i tha Presidentes Jahjaga se presidenti kinez do të jetë burrështetasi i dytë që do ta vizitojë shtetin e Iowa-s, në muajin e ardhshëm.
Guvernatori Branstad tha se këto dy vende kanë ngjashmëri por edhe dallime të cilat duhet të shfrytëzohen në bashkëpunimin ekonomik dhe në këmbimin tregtar.
Ai i ofroi presidentes Jahjaga gjithë ndihmën dhe përkrahjen duke angazhuar për vizitat e ndërsjella të delegacioneve të ndryshme të dy shteteve tona.
Guvernatori i shtetit të Iowa-s, e falënderoi Presidenten Jahjaga për ftesën e bërë por të vizituar Republikën e Kosovës dhe theksoi se kjo vizitë do të bëhet kah mesi i vitit të ardhshëm.
Presidentja e Republikës së Kosovës e vizitoi Gjykatën e Apelit të shtetit të Iowa-s, ku u takua me kryegjyqtarin Larry J. Eisenhauer dhe me gjyqtarët e kësaj gjykate të cilët e informuan për punën e gjykatave në shtetin e Iowa-s, për organizimin e gjykatave, për procesin e komunikimit me palët, për ruajtjen e të dhënave dhe për prezantimin e dokumentacionit në mënyrë elektronike.
Presidentja Jahjaga u interesua sidomos për mbrojtjen e të dhënave, për programin e mbrojtjes së dëshmitarëve, për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe për praktikat që mund ti shërbejnë sistemit të drejtësisë në Kosovë.