Jahjaga po merr pjesë në Samitin e Bërdos në Slloveni
Bërdo, 25 korrik - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga po merr pjesë në samitin e Bërdos, të presidentëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, që organizohet nga Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor dhe Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipovic.
Në samitin e Bërdos po merr pjesë edhe Presidenti i Republikës së Francës, Francois Hollande.
Në samitin e Bërdos po marrin pjesë edhe presidenti i Malit të Zi, presidenti i Shqipërisë, presidenti i Maqedonisë, presidenti i Serbisë dhe presidenti i Bosnje Hercegovinës.
Samiti i Bërdos është përqendruar në bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Presidentja Jahjaga në sesionin plenar të Samitit ka thënë të gjithë shtetet e Ballakanit do të bëhën anëtarë të BE-së në një të ardhme të afërt dhe rruga evropiane e secilit shtet duhet të jetë e garantuar dhe e qëndrueshme.
"Ne duhet ti përkujtojmë vetvetes qëllimin dhe arsyet për të cilat u themelua Bashkimi Evropian dhe pse u tregua aq i suksesshëm. Evropa ka parë progres në pesë dekadat e fundit si asnjëherë më parë. Jo vetëm që shtetet themeluese kanë pasur zhvillim të vazhdueshëm, por Bashkimi ka ndihmuar uljen e dallueshmërisë zhvillimore në Evropë duke u ofruar ndihmë vendeve të cilat kishin ngecur për shkak të ngjarjeve të dekadave të shkuara", ka theksuar Jahjaga.
Paqja sipas saj solli jo vetëm rritje dhe zhvillim të paparë, por solli edhe një periudhë të stabilitetit politik, liri të lëvizjes dhe një mirëkuptim më të thellë në mes të njerëzve dhe kombeve.
"Është një vizion i përkrahur nga qytetarët tanë, pasi që ne kemi shumë për ti ofruar Bashkimit Evropian. Në perceptojmë integrimin tonë në BE si një rezultat me të cilin fitojnë të gjithë."
"Vullneti politik dhe lidershipi që të reformojmë ekonomitë tona dhe të konsolidojmë sundimin e ligjit si fusha kyçe duhet të ndërmarrin këtë hap të madh siç është zotimi i vendeve të BE-së që të na udhëzojnë gjatë këtij procesi. Pjesa më ë madhe e kësaj pune të rëndë duhet të kryhet nga vetë shtetet aspiruese dhe, siç e kam thënë, ne në Kosovë nuk do të kërkojmë për rrugë të shkurtra sepse ne kemi nevojë për këto reforma në mënyrë që të sigurojmë qëndrueshmëri", pohoi Jahjaga.