Jahjaga në takimin rajonal të Presidentëve në Shqipëri
Tiranë, 16 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, Ahtifete Jahjaga pritet të udhëtojë sot për në Shqipëri, ku do të zhvillohet takimi i pestë Rajonal i Presidentëve të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Jahjaga pritet të qëndrojë sot e nesër në Durrës, ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët të presidentëve.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, do të takohet me Presidenten e Kosovës, atë të Maqedonisë dhe atë të Malit të Zi.
Sipas një njoftimi për mediat ditën e sotme dhe të nesërme në Durrës, organizohet forumi i Presidentëve të Rajonit.
Takimi i Presidentëve do të fillojë në orën 10:00 dhe pritet të zgjatë rreth dy orë. Menjëherë pas takimit Presidentët e katër vendeve do të mbajnë një konferencë për shtyp.
Takimet e përvitshme jozyrtare të katër Presidenteve të vendeve të rajonit janë një nismë e ish-Presidentit të së Shqipërisë, Bamir Topi, nismë e cila filloi me udhëtimin në Vlorë më 23 - 24 qershor 2009; vazhdoi në Prizren më 26 - 27 qershor 2010; më tej në Ohër më 11 - 12 korrik 2011 dhe takimi më i fundit u mbajt në Budva, më 4 - 5 dhjetor 2012.