Jahjaga merr pjesë në varrimin e ish-Presidentit çek, Vaclav Havel
Pragë, 23 dhjetor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga udhëtoi dje për në Republikën e Çekisë, ku do të marrë pjesë në varrimin e mikut të madh të Kosovës, disidentit e ish-Presidentit çek, Vaclav Havel, i cili ndërroi jetë ditë më parë.
Udhëheqës botërorë janë mbledhur në Pragë për funeralin e sotëm shtetëror të Vasllav Havelit, heroit të Revolucionit të Kadifenjtë dhe presidentit të parë post-komunist të ish-Çekosllovakisë.
Personalitete të njohura pritet të marrin pjesë në ceremoninë e sotme, përfshirë presidentin francez, Nikolas Sarkozi, sekretaren amerikane të shtetit, Hillari Klinton dhe ish-presidentin amerikan, Bill Klinton, kryeministrin britanik, Dejvid Kamerun, e shumë personalitete të tjera me ndikim.
Ndërkohë, ish-sekretarja amerikane e shtetit, Medllin Allbrajt, pritet të mbajë një fjalim gjatë kësaj ceremonie.
Nderkaq në një telegram ngushëllimi dërguar institucioneve dhe popullit çek, Presidentja Jahjaga e vlerësoi Havel si mik të madh të Kosovës dhe theksoi se vdekja e tij është një humbje e madhe për popullin dhe shtetin çek, por edhe për gjithë popujt liridashës në botë.
Vaclav Havel ishte mik dhe përkrahës shumë i madh i Kosovës. Për këtë ai u nderua me dekoratën e lartë Medalja e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm - Dr. Ibrahim Rugova.
Në muajin tetor, Presidentja Jahjaga ishte në Pragë të Çekisë, ku mori pjesë në punimet e Konferencës së 15-të të Forumit 2000, me ftesën e z.Vacllav Havel, i cili mirëpriti dhe vlerësoi lart pjesëmarrjen në konferencë të presidentes së shtetit më të ri në Evropë.