Jahjaga: Kosova ofron kushte për tërheqjen e investimeve të huaja
Panama, 2 prill - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, mori pjesë në pritjen e organizuar me rastin e fillimit të punimeve të Forumit Ekonomik Botëror për Amerikën Latine, që mbahet në qytetin e Panamasë.
Në kët forum, morën pjesë zyrtarë të lartë të shtetit të Panamasë: Presidenti Ricardo Martinelli, ministri i jashtëm Alvarez de Soto, Ministri për Çështje të Kanalit të Panamasë Roberto R. Roy, Kryetari i Dhomës së Tregtisë José Luis Ford, si dhe mysafirë të lartë nga vende të ndryshme, në mesin e të cilëve edhe kryeministrja e Trinidad dhe Tobago, Kamla Persad Bissessar.
Presidentja Jahjaga u takua me kryeministren Kamla Persad Bissessar, me të cilën ka biseduar për çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Trinidad dhe Tobago, që do të ndihmonte konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe ka marrë premtimin për shqyrtimin e rrethanave për këtë çështje.
Presidentja Jahjaga takoi gjithashtu drejtorin manaxhues të Forumit Ekonomik Botëror, Philipp Rösler, me të cilin biseduan rreth mundësive të bashkëpunimit me synim mbështetjen e zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Presidentja Jahjaga e informoi Rösler mbi potencialin investues që ofron Kosova si dhe mbi hapat e ndërmarrë nga institucionet e Kosovës në garantimin e kushteve te favorshme për afarizëm dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
Ajo tha se ndërvarësia ekonomike rajonale dhe globale po e bën thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellët kyç në garantimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe tejkalimin e krizave globale.
Rösler falënderoi Presidenten Jahjaga për pjesëmarrjen e saj në punimet e Forumit Ekonomik Botëror për Amerikën Latine duke shprehur gatishmërinë për ndërtimin e urave të bashkëpunimit që do ndihmojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Forumi Ekonomik Botëror për Amerikën Latine i fillon punimet të mërkurën dhe pjesëmarrës do të jenë edhe presidentët e Kostarikës, Guatemalës, Hondurasit dhe El Salvadorit, si dhe ministra të jashtëm e të ekonomisë të vendeve të ndryshme.
Presidentja Jahjaga do të takojë gjatë punimeve të Forumit një numër udhëheqësish të vendeve të ndryshme të Amerikës Latine, përfshirë edhe ata nga vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Presidentja Jahjaga po qëndron në vizitë zyrtare në Panama me ftesë të Presidentit Ricardo Martinelli, me të cilin është takuar ditën e parë të vizitës.
Ajo gjithashtu ka takuar edhe kryetarin e Parlamentit të Amerikës Latine dhe është shpallur qytetare nderi e qytetit të Panamasë dhe i është dorëzuar çelësi i qytetit.