28 Dhjetor 2024

Jahjaga e Thaçi takuan sekretarin e OKB-së Ban Ki Moon

New York, 18 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, së bashku me kryeministrin zotëri Hashim Thaçi dhe ministrin e jashtëm, zotëri Enver Hoxhaj, u prit sot në selinë e OKB-së, nga sekretari i përgjithshëm zotëri Ban Ki Moon. Ky takim ishte i vendosur në agjendën zyrtare të aktiviteteve të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së. 

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, në bisedë të gjatë me Presidenten Jahjaga, i ka vlerësuar të arriturat në Kosovë dhe bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës me misionet ndërkombëtare në vend.

Ai tha se është i rëndësishëm koordinimi i institucioneve të Kosovës dhe forcave paqeruajtëse KFOR dhe EULEX-i në vendosjen e qetësisë në veriun e Kosovës.

Zotëri Ban Ki Moon tha se me rëndësi është vendosja e rendit dhe ruajtja e stabilitetit në këtë pjesë të Kosovës. Ai tha se çështjet e hapura ndërmjet palëve duhet  të zgjidhen me dialog dhe se Plani Ahtisaari ofron mundësitë më të mira për komunitetin serb. 

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e ka vlerësuar si të mirë dhe të suksesshëm bashkëpunimin me OKB-në nën drejtimin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së dhe në vecanti me misionin e UNMIK-ut.

Ajo tha se aksioni i përbashkët i Policisë së Kosovës me KFOR-in dhe EULEX-in për zbatimin e marrëveshjes për vulat doganore me Serbinë, dëshmon partneritetin e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare.

Ajo tha se me planin operacional të qeverisë në veri, Kosova po respekton dokumentet ndërkombëtare dhe Kushtetutën e saj. Presidentja e Republikës së Kosovës tha se e kundërshton fuqishëm ndarjen e Kosovës dhe rregullimin e brendshëm territorial. Ajo tha se Propozimi Gjithëpërfshirës i Martti Ahtisaarit ofron vetëqeverisjen optimale për komunitetin serb dhe ky komunitet ka marrë përgjegjësitë e plota në qeverisjen lokale dhe atë qendrore.

Presidentja Jahjaga tha se statusi special për veriun e Kosovës do të rrënonte këto arritje dhe nuk do të garantonte integrimin por do të çonte drejt ndarjes. Ajo tha se Kosova do që të vendos rendin dhe ligjin dhe normalitetin si dhe t’i jap fund mosndëshkimit me qëllim të zhvillimit ekonomik dhe shtrirjes së kushtetutshmërisë për të gjithë qytetarët pa dallim, që jetojnë në veri.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova është e përkushtuar që ta vazhdojë mbështetjen për dialogun me Serbinë me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve për energjinë elektrike, telekomunikacionin dhe bashkëpunimin rajonal. Ajo tha se kjo është mënyra e vetme për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të mbështetur njëri-tjetrin në rrugën e integrimeve evropiane. Ajo tha se zgjidhjet duhet të bazohen në standardet evropiane.

Presidentja e Republikës së Kosovës tha se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, që ka krijuar stabilitet dhe paqe në rajon dhe është e respektuar nga fqinjët e saj. Ajo tha se Kosova është e përkushtuar që të bëhet anëtare e OKB-së dhe kjo rrugë nuk ka alternativë tjetër.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)