Jahjaga e Clinton nënshkruan një marrëveshje ndërshtetërore
Washington, 15 dhjetor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, takoi sekretaren amerikane të shtetit, zonjën Hillary Clinton ku edhe nënshkruan një marrëveshje ndërshtetërore për ruajtjen e objekteve të posaçme në Kosovë.
Jahjaga me këtë rast theksoi se nënshkrimi i marrëveshjes për mbrojtjen dhe ruajtjen e pronave të caktuara kulturore është një akt i fuqishëm simbolik dhe pjesë e lidhjes së fuqishme dhe miqësisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
"Shtet e Bashkuara të Amerikës janë përkrahësi dhe aleati më i fuqishëm i Kosovës. Zonja Sekretare, ju dhe populli amerikan gjithmonë keni qëndruar afër nesh në periudhat më të vështira për ne në arritjen e lirisë dhe tani në procesin tonë të shtet-ndërtimi", është shprehur Jahjaga.
Kjo marrëveshje mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve te Bashkuara të Amerikës sipas saj është edhe një testament për përkushtimin tonë ndaj tolerancës kulturore dhe multikulturalizmit dhe përqafimit të diverzitetit të pjesëtarëve të shoqërisë tonë, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare apo racore.
"Vlerat dhe idealet amerikane janë inspirim për ne, dhe me dëshirë mirëpresim zbatimin e përbashkët të kësaj marrëveshje për të ruajtur edhe më tej trashëgimin tonë kulturore, tha Jahajga.
Në komentet e saj, pasi foli për rëndësinë e marrëveshjes, zonja Clinton përsëriti mbështetjen e fuqishme për sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës.
Presidenti Obama dhe unë, tha ajo, jemi të përkushtuar për të garantuar se e ardhmja që Kosova po përpiqet të ndërtojë do të ketë rëndësi të madhe në radhë të parë për popullin e Kosovës por dhe për të gjithë rajonin.
Ajo tha se shpreson që vendimi i javës së kaluar i Bashkimit Evropian të hapë rrugën për integrimin e Kosovës në BE.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Sekretarja Klinton komentoi edhe për gjendjen në veriun e Kosovës.
Ajo tha se Shtetet e Bashkuara janë konsultuar me Kombet e Bashkuara dhe me të tjerë të cilët nuk kanë raportuar për ndonjë krizë humanitare në rajon.
SHBA, tha zonja Klinton, do tu bënin thirrje banorëve të Kosovës, veçanërisht në veri që të punojnë së bashku.
"Ne kemi verifikuar me OKB-në dhe me të tjerët. Ata nuk kanë raportuar për asnjë krizë humanitare ose nevojë. Do të bënim thirrje që qytetarët e Kosovës, në veçanti në veri, të punojnë së bashku. Sipas Kushtetutës së Kosovës ata I kanë të drejtat e barabarta dhe të drejtat qytetare. Sa më shpejtë që të integrohen të gjithë qytetarët e Kosovës në një shtet të përbashkët aq më e mundshme do të bëhej një lloj e ardhme të cilën po e kërkon Presidentja për të gjithë qytetarët" theksoi znj. Clinton.