Jahjaga dhe Nikoliç do të takohen në fillim të shkurtit
Bruksel, 25 janar - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ai i Serbisë, Timosllav Nikoliç, do të takohen në fillim të shkurtit për të nisur bisedimet për atë që do të jetë anganzhimi final mes Kosovës dhe Serbisë, e që do të mbajë firmat e të dy presidentëve.
Kabineti i baroneshës Ashton u ka propozuar datën 6 shkurt për takim të dyja zyrave presidenciale dhe po pret konfirmimin zyrtar nga të dyja palët.
Në Bruksel, Jahjaga dhe Nikoliç, sipas burimeve diplomatike pritet që të shprehin mbështetje publike për dialogun mes kryeministrave dhe do të shprehin vullnet për normalizim marrëdhëniesh.
Në marrëveshjen që diplomatët shpresojnë se do të arrihet në pranverë të këtij viti, do të përfshihen të gjitha marrëveshjet e arritura mes kryeministrave, si dhe do të shprehet vullneti për paqe, ndonëse sipas të njëjtave burime marrëveshja nuk do të jetë traktat.