Izraeli nuk ka arsye të mos e njoh Kosoven
Prishtinë, 13 mars - Gazeta më e madhe izraelite, Haartez vazhdon të thërrasë Izraelin ta njohë Kosovën si shtet.Në gazetë thuhet se të gjitha argumentet e mundshme të Izarelit për mosnjohje janë shterur dhe janë treguar të pabaza.
Gazeta kujton se Kosova është një shtet shumë pro-amerikan, aleatit tradicional të Tel Avivit dhe se Islami i vet është i moderuar dhe i tillë pritet të mbetet.
Novak Gjokoviq dhe Sllobodan Millosheviq. Një koleksion trofesh në tenis dhe grumbuj kufomash e varrezash masive. Kështu mund të definohet përafërsisht përshtypja që Serbia ka krijuar në vitet e fundit: në njrën anë gjendet lojtari më i mirë i tenisit në botë dhe në anën tjetër është krimineli më famëkeq i luftës që ka njohur Evropa që nga Lufta e Dytë Botërore.
Dy ngjarje të shënuara së fundmi 20 vjetori i marrëdhënieve diplomatike midis Jerusalemit dhe Beogradit dhe katërvjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës ofrojnë një mundësi për të analizuar nga këndvështrimi izraelit nëse Nole apo Sloba do të dominojnë asociimin me Serbinë.
Pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 88 vende, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e vendeve anëtare të BE-së. Izraeli, megjithatë, në këtë çështje u ka kthyer shpinën aleatëve të natyrshëm dhe ka pozicionuar vetveten me Rusinë dhe Kinën, kampionët e mirënjohur të të drejtave të njeriut.
Ka disa shpjegime për këtë qasje. Izraeli kundërshton hapat e njëanshëm që mund të shërbejnë si model për ndonjë aranzhim me palestinezët apo për të inspiruar arabët e Galilesë shkëputjen e territorit. Gjithashtu kundërshton hapat që zhvlerësojnë ligjin ndërkombëtar dhe shmangin Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, aty ku Izraeli përfiton nga fuqia e vetos që Shtetet e Bashkuara kanë.
Ka gjithashtu frikë se plaçkitja e Kosovës, të cilën Beogradi e quan Jerusalem të Serbisë , mund të nxisë nismat për Jerusalemi i vërtetë të shndërrohet në një kryeqytet të Palestinës së pavarur. Dhe fare në fund, ka shqetësime për sforcimin e ekstremizmit islamik dhe antisemitizmit në Evropë.
Por, katër vjet që prej shpalljes së pavarësisë, duket se këto shqetësime janë të pabaza. Kosova ka shpallur pavarësinë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe shumicën e vendeve anëtare të BE-së, me disa kushte të paracaktuara.
Aty ku shqiptarët përbëjnë 90 për qind të popullatës në Kosovë, zona e Galilesë ka një popullatë të përzier hebreiko-arabe dhe asnjë lojtar i rëndësishëm ndërkombëtar nuk do ta mbështeste separatizmin nga arabët izraelitë.
Nevoja për të shmangur Kombet e Bashkuara është rezultat i paaftësisë së këtij mekanizmi për të zgjidhur krizat. Shembulli i fundit i kësaj paaftësie është gjakderdhja e vazhdueshme në Siri.
Dhe derisa palestinezët e shohin Jerusalemin si kryeqytetin e tyre, kosovarët asnjëherë nuk ia kanë mësyrë Beogradit. Madje, ndërkohë që disa hebrenj janë të gatshëm për të bërë compromise mbi Jerusalemin, serbët në mënyrë kategorike refuzojnë të heqin dorë nga ajo që ata e konsiderojnë si djep të qytetërimit të tyre.
Kosova e pavarur është një shtet pro-amerikan, i cili në vazhdimësi i është ofruar Izraelit dhe ka shprehur interesim për integrim në pejsazhin evropian. Me këtë garanton se besimi Islam që praktikon, atë të moderuar, do të mbetet ashtu siç është.
Ajo çfarë ka mbetur të shqyrtohet është trashëgimia e përbashkët historike e hebrenjëve dhe serbëve, një koncept të cilin serbët në vazhdimësi e ngrisin si çështje. Në një ngjarje që shënoi marrëdhëniet diplomatike, presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, citoi miqësinë e përhershme midis dy popujve, të cilët ishin caqe të shkatërrimit dhe persekutimit në histori. Ai u zotua se do të qëndrojë përkrah popullit hebraik dhe Shtetit të Izraelit dhe do të thellojë marrëdhëniet midis dy vendeve .
Pavarësisht nga kjo, kur bëhet fjalë për interesa të veta, Serbia befasisht harron fatin e përbashkët historic dhe faktin se vëllezërit hebraik, nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Në tetor, Serbia votoi për ta njohur Palestinën si anëtare të 195-të të UNESCO-s. Madje, Beogradi pranon se nuk do ta kishte kundërshtuar as rezolutën që njeh sovranitetin e Palestinës, po të vinte ajo rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Frika se bota myslimane mund të shtojë numrin e vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës mund të ketë qenë motivi kryesor për qëndrimin pro-palestinez të Serbisë.
Vetëm atëherë kur Beogradi e çliron vetveten nga barra e çështjes së Kosovës, Serbia do të ndjek një politikë të jashtme që më shumë pasqyron ndjenjat e vërteta të serbëve dhe bashkëndjesinë për hebrenjtë dhe Izraelin.
Në cilindo rast, Serbia nuk duhet dënuar për votën që ka dhënë. Ky vend i cili deri vonë është trajtuar si i padëshirueshëm, po bën atë çka mundet për të përmbyllur librin e Millosheviqit dhe për të hapur atë të Gjokoviqit.
Serbia e re i është nënshtruar një transformimi të jashtëzakonshëm vitet e fundit. Ka ekstraduar të gjithë kriminelët e luftës, dhe po bën përpjekje të pajtohet me fqinjtë dhe po përpiqet që të pajtohet me fatin karshi Kosovës. Bashkimi Evropian tashmë ia ka dhënë statusin e kandidatit për anëtarësim, duke i dhënë fund kësisoji izolimit 20 vjeçar të Serbisë.
Izraeli duhet ta mbështesë evropianizimin e Serbisë, por njëkohësisht duhet t i mbetet besnike parimeve të vetëvendosjes, në bazë të të cilave është ngritur vetë.
Nuk ka vend këtu për një lojë humbësish dhe fituesish. E vetmja formulë realiste është një Serbi evropiane dhe një Kosovë e pavarur.