Ivica Daçiç viziton sot Shqipërinë
Tiranë, 20 janar - Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç do të jetë sot në Tiranë sëbashku me kryedioplomatin italian Gentiloni për të marrë pjese në takimin e dytë të Ministrave të Punëve të Jashtme, që mirëpritet nga Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.
Kjo nismë u iniciua më shumë se një vit më parë dhe vijon takimin e parë trepalësh në nivel Ministrash të Punëve të Jashtme mes Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë, të zhvilluar në Romë më 23 janar 2015.Tre shefat e diplomacisë do të diskutojnë mbi integrimin europian dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Takimi tre palësh Shqipëri-Itali-Serbi rikthen të mërkurën në Tiranë Ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç. Ai do të jetë bashkë me kreun e diplomacisë italiane, Paolo Gentiloni dhe Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati në Tiranë, në kuadër të takimit Shqipëri-Itali Serbi, për të diskutuar mbi integrimin europian dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Mësohet se në takim, tre shefat e diplomacisë do të diskutojnë projekte të përbashkëta konkrete me interes të ndërsjellë në fushat e ekonomisë, infrastrukturës, energjisë, turizmit, arsimit, kulturës, bashkëpunimit rinor etj, duke u fokusuar në identifikimin e metodologjive të reja për realizimin konkret të tyre, por edhe në zgjerimin e mëtejshëm të nismave rajonale.
Duke mbajtur në vëmendje proçesin e Berlinit dhe Konferencat e Ballkanit Perëndimor në Paris 2016 dhe Romë 2017, si edhe çështje që kanë të bëjnë me sfidat e përbashkëta që po përballemi sot, takimi do ketë në fokus përforcimin e urave të komunikimit konstruktiv mbi baza mirëkuptimi.
Takimi trilateral do të paraprihet nga takime të veçanta të Ministrit të Jashtëm Bushati me Ministrat Gentiloni dhe Daçiç, ndërsa në 15:00 do të zhvillohet konferenca e përbashkët për shtyp.
Qendrimi i Ministrit të Jashtëm italian në Tiranë vjen edhe në kohën kur Shqipëria është etiketuar nga mediat vendase si vendi nga ku kalojnë armët që përdoren nga Shteti Islamik dhe mendohet se edhe kjo çështje do të zërë vend në biseda, por edhe në komunikimin me median.