Ivanoviq: Ndalimi i Daçiqt është një veprim jodemokratik
Beograd, 3 tetor - Kandidati për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Oliver Ivanoviq, ka thënë se ndalimi i vizitave të kryeministrit Ivica Daçiq në Kosovë gjatë fushatës është një veprim jodemokratik.
Në një deklaratë për agjencinë serbe të lajmeve Beta, Kryetari i Iniciativës Qytetare Serbia, Demokracia, Drejtësia, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës do të ketë pasoja të paparashikuara në mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.
Por, ai ka kritikuar edhe qasjen e Qeverisë së Serbisë ndaj subjekteve politike që përfaqësojnë serbët e Kosovës, pasi që Beogradi po favorizon Listën Qytetare Serbe. Apelojmë tek Daçiqi që të mos krijojë përçarje në mes të serbëve të Kosovës duke i dhënë mbështetje vetëm një liste, ka thënë Ivanoviq.
Sipas tij, të gjithë serbët që marrin pjesë në këtë proces zgjedhor janë qytetarë lojalë të Serbisë, të cilët e kanë pranuar ftesën e Qeverisë së Serbisë për të përmirësuar pozitën e popullit serbë në Kosovë.