Ivanoviç: Serbët nuk frikohen nga kërcënimet e Prishtinës
Beograd, 1 Mars - Politikanët serbë të veriut të Kosovës kundërshtojnë shtimin e pranisë së Policisë së Kosovës në atë pjesë, duke e quajtur si tentim, që, përmes policisë, të zbatohet strategjia për veriun, por edhe dëshirë për tu konfrontuar me serbët.
Paralajmërimet se me fillimin e muajit mars Policia e Kosovës do të shtojë praninë e saj në veriun e Kosovës, kanë ngjallur reagimet e politikanëve serbë të veriut.
Ata kanë shfaqur dyshimet se një gjë e tillë është përgatitje e terrenit për zbatimin e strategjisë së Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe Qeverisë së Kosovës për integrimin e veriut, pavarësisht se zyrtarët e UNMIK-ut tashmë e kanë mohuar një gjë të tillë. Milan Ivanoviç, nga Këshilli Nacional Serb në veriun e Kosovës, thotë se shtimi eventual i pranisë së policisë së Kosovës në veri të lumit Ibër nga serbët do të nënkuptohet si tentim për disiplinimin e tyre.
Serbët kanë të drejtë që sigurinë e tyre tua besojnë atyre që u besojnë dhe kjo nuk e nënkupton Policinë e Kosovës, e cila do të ishte pjesë e sistemit të vetëm të policisë dhe natyrisht nuk i nënkupton shqiptarët, shprehet Ivanoviç.
Sipas Ivanovicit, serbët deri më tash nuk kanë pranuar asgjë që u është imponuar me dhunë e presion dhe që ka rrezikuar interesat vitale të tyre. Po ashtu, Ivanoviç thotë se serbët në veri nuk do të frikohen nga, siç i quajti ai, kërcënimet e autoriteteve të Prishtinës dhe të disa subjekteve të bashkësisë ndërkombëtare, në mesin e të cilave edhe pakti i NATO-s.
Ndërsa, Marko Jaksiç, politikan serb nga veriu i Kosovës, thotë se serbët e kësaj pjese i kanë organet e qeverisjes lokale dhe se ato do të marrin një vendim lidhur me këtë çështje. Sipas tij, organet serbe të qeverisjes lokale, siç i quan ai, kanë marrëdhënie të mira me Policinë e Kosovës dhe duhet pasur kujdes që këto marrëdhënie të ruhen. /REL/