Ivanoviç: Përsëritja e 25 korrikut, aventurë e rrezikshme
Beograd, 12 prill - Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën, Oliver Ivanoviç, ka deklaruar se aksionet e policisë kosovare në veri, do të paraqisnin aventurë të rrezikshme, e cila sipas tij, mund të nxiste pastaj reagim të dhunshëm.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka paralajmëruar se policia mund të ndërmarrë aksion të ngjashëm në veri, si ai i 25 korrikut të vitit të kaluar, kur, njësitë speciale e policisë, Rosu, u dërguan për të shtënë nën kontroll pikat kufitare në veri.
Ivanoviç ka thënë se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndalojë një gjë të tillë.
Ai ka thënë se veriu i Kosovës është problem politik, i cili nuk mund të zgjidhet me dhunë, sepse në këtë rast do të nxiste reagim të dhunshëm të cilin askush nuk do të mund ta qetësonte.
Fundjavën e kaluar në veri të Kosovës u vra nga shpërthimi i një bombe të vendosur në shtëpinë e tij shqiptari 38 vjeçar, Selver Haradinaj, dhe u plagosën anëtarët e familjes së tij.
Për të kontrolluar vendin ku ka ndodhur incidenti, te Tre Rrokaqiejt, Policia e Kosovës tentoi të vendosë pika statike, por ato u hoqën dhe u shkatërruan nga serbët lokalë.
Pjesa veriore e Mitrovicës është e banuar me shumicë serbe dhe kontrollohet nga strukturat paralele të financuara nga qeveria serbe.
Në vitin e kaluar, autoritetet kosovarë tentuan që përmes marrjes nën kontroll të pikave kufitare veriore, në Bërnjak dhe Jarinë të nisin shtrirjen e kontrollit.
Por, kjo gjë nuk rezultoi me sukses, dhe që nga vera e kaluar, serbët kanë ngritur barrikada në rrugët që lidhin jugun me veriun, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve të institucioneve të Kosovës dhe pjesërisht të EULEX-it. Vetëm KFOR-i mund të kalojë në atë pjesë.