23 Dhjetor 2024

Ivanoviç: pala serbe e gatshme për fillimin e dialogut

Beograd, 17 janar - Sekretari shtetëror në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, i ka thënë BBC-së se dialogu ndërmjet Prishtinës e Beogradit nuk duhet të nisë me çështje serioze, për të cilat palët kanë kundërshtime të forta, siç është çështja e statusit të Kosovës.

Ai sugjeron që dialogu të hapet me çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, zbardhja e fatit të të cilëve, është në interes si të Prishtinës, ashtu edhe të Beogradit.

Ivanoviq tha se pala serbe është e gatshme për fillimin e menjëhershëm të dialogut, por se po pritet formimi i institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet në Kosovë dhe emërimi i ekipit negociator të Prishtinës.

Ai parashikon që bisedimet e para pas pavarësisë së Kosovës, do të jenë të vështira, por beson se suksesi i tyre është i mundur nëse palët angazhohen që në fillim të procesit të shmangin përplajset mes tyre.

“Bisedimet vetvetiu sjellin hapa pozitiv, thjesht më mirë kuptohemi dhe është parim i rëndësishëm që të fillohet me tema që nuk provokojnë kundërshtime, tema që me automatizëm nuk do të na përplasin, kështu që unë jam kundër asaj që ne të prekim tema të ndjeshme”, tha z.Ivanoviq.

“Është mirë që të fillohet me atë që po e sugjerojnë të dyja palët, çështjen e të zhdukurve dhe të rrëmbyerve sepse kjo është një temë thellësisht humanitare, ndërsa pastaj do të mund të prekim tema më serioze për të cilat paraprakisht e dimë se nuk pajtohemi”, shtoi ai.

Zyrtarët në Prishtinë thonë se bisedimet me Serbinë, të cilat do të lehtësohen nga Bashkimi Evropian, mund të fillojnë vetëm pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe konstituimit të institucioneve të reja, ndërsa përjashtojnë mundësinë e diskutimit të çështjeve që prekin tërësinë tokësore dhe sovranitetin e Kosovës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)