Italia zyrtarisht merr kryesimin e G20
Romë, 2 dhjetor - Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, njoftoi se kryesimi i vendit të tij në G20 ka filluar.
Conte, nëpërmjet një postimi në Twitter në orët e mbrëmjes së kaluar tha se Italia zyrtarisht ka filluar me kryesimin në G20.
"Më 1 dhjetor, Italia zyrtarisht fillon me kryesimin në G20. Ne jemi të ftuar t'i përgjigjemi sfidave globale që na presin dhe të ndërtojmë botën e nesërme nga sot, duke lënë një planet më të mirë për fëmijët tanë", shkroi ai.
Kryeministri italian në postimin e tij publikoi edhe një video të incizuar pranë Koloseumit, simbolit të Romës.
Conte shprehu shpresën që vitin e ardhshëm të përfundojë pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19), ndërsa samiti i radhës i liderëve të G20 do të zhvillohet më 30-31 tetor 2021 në Romë.
Italia mori kryesimin nga Arabia Saudite në samitin e organizuar në nëntor me anë të videokonferencës për shkak të COVID-19.