Italia Qendrore përmbytet nga shirat e rrëmbyeshëm
Romë, 14 nëntor - Pjesë të Italisë Qendrore, përfshirë provincat e Toskanës dhe Umbrias janë përmbytur nga shirat e rrëmbyeshëm dhe erërat e fuqishme të ditëve të fundit.
Lumenjtë dolën nga shtrati, duke përmbytur zonat përreth. Në zonën e Albinias zjarrfikësit përdorën helikopterët për të shpëtuar një numër banorësh që kishin hipur nëpër çati për ti shpëtuar ujërave të rrëmbyera.
Në Toskana, u evakuuan mbrëmë nga shtëpitë e tyre qindra familje dhe sipas mediave lokale, transporti hekurudhor që lidh disa zona u ndërpre.
Po për shkak të përmbytjeve, u mbyllën edhe disa sektorë të autostradës së Firences. Presidenti Enriko Rossi ka kërkuar vendosjen e trupave ushtarake për të ndihmuar në gjendjen e krijuar të emergjencës.