Itali, gjykata dënon 3 drejtues të Google-it
Romë, 26 shkurt - Një gjykatë italiane ka shpallur fajtorë tre drejtues të lartë të Google-it për dhunim të privatësisë. Sipas gjykatës, Google nuk veproi në mënyrë të menjëhershme për të ndaluar heqjen nga rrjeti të një videoje në të cilën shfaqeshin pamje të rënda dhe tallëse me fëmijët e mitur dhe të sëmurë.
Rasti është ndjekur nga afër në të gjithë botën, për shkak të implikimeve që ka pasur në çështjen e lirisë së internetit. Ky ishte edhe gjyqi i parë penal i këtij lloji dhe ekzekutivët e lartë janë dënuar në mungesë me 6 muaj pezullim. Për Google, një vendim i tillë ishte tronditës dhe sipas zëdhënësit, ata do ta apelojnë këtë vendim.
Jemi shumë të tronditur nga një vendim i tillë, që godet parimet e lirisë, mbi të cilat është ngritur edhe vetë interneti, ka thënë zëdhënësi i Google. Bëhet fjalë për ekzekutivë shumë të lartë të kompanisë së suksesshme që ndodhen në Londër.
Të tre personat dhe një i katërt, që është dënuar për një akuzë më të lehtë, i kanë mohuar akuzat. Sipas tyre, vendimi i gjykatës është i pabazuar dhe krejtësisht absurd, duke qenë se nuk shkel asnjë ligj, as të Bashkimit Europian e aq më pak të Italisë.
Sipas tyre, Google nuk ka aspak përgjegjësi që të censurojë materialet që hidhen në rrjet dhe nuk është detyra e kompanisë monitorimi apo skualifikimi i pjesëve të ndryshme. Për shumë analistë, ky vendim përbën një precedent shumë të rrezikshëm, që vë në rrezik vetë Google-in dhe lirinë e internetit, që është shndërruar në një avokat të ndryshimit. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ligji u jep imunitet provajderave të internetit për një rast të tillë, ndërsa në Europë nuk ekziston një mbrojtje e tillë.
Për Google-in, ky rast vjen ndërsa ai po përballet edhe me probleme të tjera në Itali, ku po përgatitet edhe një projektligj që pritet tu kërkojë sajteve të internetit të kontrollojnë përmbajtjen e tyre në të njëjtën mënyrë si edhe stacionet televizive dhe mediat e tjera. Google ndërkohë lobon për ndryshime të këtij ligji.
Vetë kompania me bazë në Kaliforni e ka cilësuar gjyqin si një kërcënim ndaj vetë internetit, sepse do ti detyronte provajderat që të merrnin përsipër një detyrë të pamundur praktikisht: kalimin dhe kontrollin e miliona informacioneve në ditë. Për sa i përket zyrës italiane të Google-it, ajo bëri të ditur se ndërhyri në rastin e videove në fjalë 2 orë pasi ato u lançuan në internet, pas një njoftimi të policisë.