ISHMP liron nga detyra 2 inspektorë
Tiranë, 11 korrik - Pas denoncimit të bërë në emisionin investigativ Stop në Tv Klan, Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe i Pyjeve mori masa të menjëhershme duke liruar nga detyra dy punonjës të këtij institucioni.
Vendimi është marrë mbështetur në VKM nr.103 Për krijimin dhe mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, Urdhërit të Kryeministrit nr. 49 datë, 29.3.2016 Për miratimin e strukturës dhe të organikës të Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve. .
Kreu i Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe të Pyjeve, Ergys Agasi liroi nga detyra ditën e sotme Dashamir Koltraka, me detyrë inspektor i sektorit Kavajë, në sektorin e Policisë Pyjore pranë ISHMP-së, Dega Rajonale Tiranë si edhe z. Ilmi Hoxha me detyrë inspektor i sektorit Tiranë në sektorin e Policisë Pyjore pranë ISHMP-së, Dega Rajonale Tiranë. Të dy punonjësit janë liruar për shkak të mospërmbushjes së detyrave nga ana tyre, thuhet në një komunikatë të ISHMP-së.
Kryeinspektori Agasi falenderon emisionin investigativ Stop në Tv Klan si edhe qytetarët për denoncimet, kontributin e tyre në ruajtjen e mjedisit si edhe mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë ISHMP-së.