Irani me numrin më të madh të gazetarëve të burgosur në botë
Gjenevë, 8 dhjetor - Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve ka bërë të ditur se është rritur numri i gazetarëve të burgosur nëpër botë në nivelin më të lartë që nga mesi i viteve 1990 dhe se Irani është vendi që ka burgosur më së shumti gazetarë.
Grupi i pavarur amerikan, që promovon lirinë e shtypit dhe të drejtat e gazetarëve, në një raport të ri tregon se 43 nga 179 gazetarët e burgosur, që grupi ka mundur ti numërojë, ndodhen në burgjet e Iranit.
Sondazhet e grupit tregojnë se Eritrea, Kina, Birmania, Vietnami, Turqia dhe Siria gjithashtu renditen në mesin e vendeve me më së shumti gazetarë të burgosur.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve bën të ditur se numri total prej 179 gazetarëve të burgosur është shifra më e lartë që nga viti 1996, kur grupi numëroi 185 gazetarë prapa grilave.