Irani goditet 2 baza të SHBA-së në Irak
Bagdat, 8 janar - Televizioni shtetëror iranian deklaroi se “janë hedhur 15 raketa dhe janë vrarë 80 amerikanë”.
Ndërsa agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve “Fars” publikoi disa imazhe në lidhje me sulmet në fjalë.
IRGC-ja theksoi përmes një komunikate të shkruar se në kuadër të operacionit hakmarrës për vrasjen ditën e premte (3 janar 2020) të gjeneralit Qasem Soleimani me një sulm ajror amerikan, Baza Ajrore Ain al-Assad e SHBA-së në Irak është goditur me dhjetëra raketa balistike tokë-tokë.
“Në rast se SHBA-ja i kundërpërgjigjet sulmit, reprezalja do të jetë shumë më e ashpër dhe e rëndë”, theksohet në komunikatë.
Ajo paralajmëron gjithashtu vendet pritëse të bazave amerikane në rajon.
“Ne paralajmërojmë të gjitha vendet aleate të SHBA-së që nëse fillojnë sulme nga bazat në vendet e tyre kundër Iranit, ato do të jenë një objektiv i hakmarrjes ushtarake. Burimi i veprimeve armiqësore dhe agresore ndaj Iranit do të jetë në shënjestër në çdo situatë. Në krimet e tyre ne s’bëjmë dallim ndërmjet regjimit sionist dhe regjimit kriminel të SHBA-së”, thuhet mes të tjerash në komunikatën e IRGC-së, e cila gjithashtu këshillon popullin amerikan që të thërrasë në vend ushtarët e tij me mision në rajon.
Pasi goditi bazat amerikane në Irak, administrata e Teheranit i dërgoi Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe sekretarit të përgjithshëm të OKB-së një letër, ku potencon se “nuk kërkojnë luftë”.
“Ne s’kërkojmë luftë. Paralajmërojmë kundër çdo aventure ushtarake që do të ndërmerret ndaj nesh”, nënvizohet në këtë letër.
Kurse Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-së (Pentagon) bëri me dije se bazat e tyre në Anbar (Ain al-Assad) dhe Erbil të Irakut, në të cilat janë të dislokuar ushtarët amerikanë, janë sulmuar nga Irani me mbi 12 raketa balistike dhe se vazhdon puna për vlerësimin fillestar të dëmeve.
“Më datë 7 janar, rreth orës 5:30 të mbrëmjes me kohën e Zonës Lindore të SHBA-së, Irani sulmoi me më shumë se një duzinë raketa forcat e SHBA-së dhe koalicionit në Irak. Është e qartë se këto raketa u hodhën nga Irani dhe synuan të paktën dy baza ushtarake irakiane që strehojnë ushtarë amerikanë dhe personel të koalicionit në Al-Asad dhe Erbil”, thuhet në një komunikatë me shkrim nga zëdhënësi i Pentagonit, Jonathan Hoffman.
“Ne jemi duke punuar për vlerësimet fillestare të dëmeve të këtij sulmi. Pentagoni ka marrë masa për të mbrojtur të gjithë ushtarët dhe personelin amerikan. Bazat kanë qenë në gatishmëri për shkak të indikacioneve se regjimi iranian planifikonte sulme kundër forcave dhe interesave tona në rajon”, shtoi ai.
Kurse zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham, deklaroi se Presidenti Donald Trump është informuar, po monitoron nga afër situatën dhe po këshillohet me ekipin e tij të sigurisë kombëtare.