Iraku afër njohjes së Kosovës
Xhibuti, 16 nëntor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, është takuar me ministrin e Punëve të jashtme të Irakut, Hoshyar Zebari.
Ministri i Jashtëm i Irakut, ka shprehur përkrahjen e shtetit të tij për Kosovën e pavarur, duke vlerësuar lart progresin e arritur në Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë.
Zebari po ashtu ka theksuar se autoritetet e Irakut po i përcjellin zhvillimet brenda Kosovës me kujdes të madh.
E dimë që shumica e vendeve islame dhe arabe e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe se ju po bëni një progres të madh në procesin e njohjeve, ka theksuar ministri Zebari, duke ftuar ministrin Enver Hoxhaj që të vizitojë Irakun.
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka njoftuar homologun irakian për progresin e gjithanshëm që po ndodhë në Kosovë.
Hoxhaj veçoi fuqizimin e vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, duke kërkuar nga ministri Zebari që shteti i tij përmes njohjes së Kosovës, të kontribuojë në këtë proces të rëndësishëm për Kosovën dhe tërë rajonin.
Ne jemi të interesuar që për shkak të pozitës së rëndësishme që ka Iraku, me një traditë të gjatë historike dhe si një aktor i rëndësishëm politik në atë pjesë të botës, që jo vetëm të kemi njohjen zyrtare nga Iraku dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, por të kemi bashkëpunim të ngushtë në ekonomi, tregti, arsim, shkencë dhe kulturë, ka thënë ministri Hoxhaj, gjatë takimit me homologun irakian.