Integriteti territorial i Belgjikës përsëri në pikëpyetje
Bruksel, 6 shtator - Një politikan i lartë belg ka paralajmëruar publikun në Belgjikë të përgatitet për ndarjen territoriale të vendit, ndërkohë që Mbreti Albert vazhdon presionin për rifillimin e bisedimeve të vështira për formimin e një qeverie të re.
Anëtarja e Partisë Socialiste Frankofone, Laurette Onkelinx, e bëri paralajmërimin e saj në një koment të publikuar sot në gazetë. Ky koment bëhet dy ditë pasi Shefi i Partisë Socialiste Frankofone Elio Di Rupo hoqi dorë nga bisedimet me udhëheqësit e përkatësisë flamande lidhur me formimin e qeverisë së re.
Qeverisja në Belgjikë ka qenë e mbërthyer nga ky ngërç politik prej më shumë se një viti. Aleanca e Re Flamande, e cila përfaqëson pjesën veriore të vendit, ku flitet kryesisht holandisht, kërkon ndarjen paqësore të Belgjikës.
Nga ana e tij, jugu i vendit, një pjesë më e varfër dhe e prapambetur e Belgjikës, ku flitet frëngjisht, shqetësohet se mund të ketë vështirësi më të mëdha ekonomike nëse veriu shkëputet.
Mbreti Albert u kërkoi mbrëmë figurave kryesore të Parlamenteve në të dy rajonet të përpiqen përsëri për rifillimin e bisedimeve për krijimin e një qeverie federative.