Integrimi Evropian prioritet i lartë i Qeverisë së Kosovës
Prishtinë, 28 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka vlerësuar sot se Kosova është pjesë e dy proceseve të cilat do të sjellin dobi të drejtpërdrejta dhe të prekshme për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës - Marrëveshja Tregtare mes Kosovës dhe BE-së dhe procesi i Liberalizimit të Vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Me këtë, Bashkimi Evropian ka treguar vullnetin e tij për ta trajtuar Kosovën njëjtë sikurse vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor të cilat janë në procesin e integrimit evropian. Me këtë njihet dhe mirëpritet përkushtimi, puna dhe arritjet që kemi bërë të gjithë së bashku, si institucionet në nivel qendror dhe lokal, ashtu edhe shoqëria civile, mediet, në rrugën tonë drejt BE-së, ka thënë kryeministri Thaçi duke hapur Konferencën Kosova Progresi në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, të organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian.
Kryeministri ka vlerësuar se në këtë kontekst, është me rëndësi të theksohet se pjesë kyçe e dialogut në kuadër të procesit të Integrimit Evropian është edhe dialogu i rregullt me shoqërinë civile, përmes Nën-Komitetit për Shoqëri Civile në kuadër të Dialogut të Procesit të Stabilizim-Asociimit.
Ky mekanizëm, siç ka theksuar kryeministri do ti mundësojë për herë të parë shoqërisë civile, që të përfshihet rregullisht në dialog të drejtpërdrejtë, si me institucionet e Republikës së Kosovës ashtu edhe me Komisionin Evropian, duke i dhënë kështu rrugë zyrtare dhe duke institucionalizuar kontributin e çmueshëm të shoqërisë civile në të gjitha reformat institucionale e strukturore nëpër të cilat do të kalojë vendi ynë deri në anëtarësimin e plotë në familjen evropiane.
Unë personalisht dhe Qeveria që drejtoj jemi sinqerisht të interesuar dhe përkushtuar që ky dialog të jetë shumë i hapur, i sinqertë dhe produktiv, në mënyrë që vërtet të ndihmojë në transformimet fundamentale në të cilat ka hyrë e tërë shoqëria kosovare në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
Kryeministri theksoi se në fillim të këtij viti, Këshilli Ministror për Integrim Evropian, që funksionon si forum kyç i nivelit politik dhe pjesë kyçe e strukturave të reja ndër-institucionale për integrim evropian, ka miratuar dhjetë Prioritete Strategjike për vitin 2010, të c cilat fokusojnë përpjekjet e institucioneve në adresimin e sfidave më urgjente të identifikuara nga Komisioni Evropian në Raportin e tij të fundit të Progresit për Kosovën.
Këto prioritet janë ngritja e kapaciteteve dhe fuqizimi i rolit institucional të Qeverisë në fushën e Integrimit Evropian; reformimi i administratës publike; reformimi i sistemit gjyqësor; luftimi i korrupsionit; prokurimi publik; liberalizimi i vizave; mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve; garantimi i lirisë së shprehjes, bashkëpunimin rajonal; dhe luftimin e ekonomisë jo-formale.
Me këtë rast kryeministri ka theksuar se me themelimin dhe funksionalizimin e shpejtë të Ministrisë së Integrimit Evropian, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një hap kyç në avancimin dhe fuqizimin e rolit koordinues të saj në procesin e Integrimit Evropian, si në nivelin politik ashtu edhe atë teknik.
Me këtë rast kryeministri ka theksuar se sa i përket reformimit të administratës publike, tashmë kanë hyrë në fuqi dy ligje kyçe, ai për Shërbimin Civil të Kosovës dhe ai për Pagat e Shërbyesve Civilë, të cilët do të kontribuojnë në shpejtimin e reformës, duke i dhënë kështu shtytje Agjendës Evropiane të Republikës së Kosovës në aspektin e kapaciteteve institucionale.
Kryeministri Thaçi ka theksuar se edhe në lëmit tjera te prioriteteve të Kosovën në agjendën evropiane janë arritur rezultate konkrete.
Renzo Davidi, shef i Zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian vlerësoi se organizimi i kësaj konference është konfirmim i përcaktimit për agjendën evropiane për Kosovën.
Ai vlerësoi se në Kosovë ka zhvillime pozitive, jo vetëm emërimi i ministritë të integrimit evropian dhe krijimi i Ministrisë.
Davidi theksoi se do të intensifikohen takimet në mes të zyrtarëve të lartë të Kosovës dhe UE duke vlerësuar se sa më afër UE do të janë përfaqësuesit e Kosovës, aq më tepër do të intensifikohet bashkëpunimi.
I tërë procesi ka të bëjë me punën e madhe dhe të vazhdueshme. Dua të theksoj një parim themelor të integrimit në BE. Afrimi dhe më vonë negocimi nuk kanë të bëjnë se a do të zbatohen politika e BE-së , por me atë se si do të behët kjo punë, tha Davidi.
Ai theksoi se rruga për në BE do të thotë identifikim i prioriteteve dhe gjithashtu hartimi i politikave kërkon konsistencë, koherencë dhe vizion. Mund tu kërkohet që qysh në fillim të procesit aprovimi i vendimeve shume te rënda,tha Davidi, mirëpo sa më herët vendoset lidhur me to mund të ketë pasoja të menjëhershme pozitive, ose negative nëse janë prioritet e gabuara.
Davidi theksoi se raporti i progresit i cili po përcillet me vëmendje shumë të madhe nga opinioni në Kosovë është vetëm një element në zhvillimin e Kosovës.
Ai është i rëndësishëm, madje shumë i rëndësishëm, sipas pikëpamjes tonë jashtëzakonisht i rëndësishëm . Ne e bëjmë atë duke pas parasysh një qëllim shumë të rëndësishëm, zhvillimin në drejtim të kritereve të Kopenhagës e cila nuk mund të zëvendësoj agjendën e Kosovës për zhvillim. Agjenda evropiane nuk është një synim dhe qëllim për vetvete, është një instrument për zhvillim, progres për vet zhvillimin tuaj tha Davidi.
Ministri i Integrimit Evropian, Besim Beqaj tha se me vetë themelimin e Ministrisë është treguar përcaktimi i Qeverisë së vendit për ta vënë në prioritet numër një përgatitjen e Kosovës për integrim evropian,.
Ai tha se duhet hyrë reformave të cilat janë të gjata por të cilat janë domethënëse, jo për të treguar para UE se sa jemi reformuar por për të krijuar një shtet funksional i cili do të jetë në dobi të qytetarëve të vendit.
MIE në fazën e parë ka organizuar një diskutim në të cilin ishte zëvendës kryeministri, si përfaqësues i drejtpërdrejtë i Qeverisë i angazhuar me përkushtim në lëmin e integrimeve, ministri i brendshëm, Zyra Ndërlidhëse e KE, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe ky diskutim është bërë nën sponzorimin e Fondit Soros.
Ministria ka për detyrë të koordinoj dhe të monitoroj aktivitet në nivel horizontal dhe vertikal. Në nivelin horizontal për të koordinuar bashkëpunimin politik në mes të gjithë ministrive të linjës në drejtim të funksionalizimit të agjendës për integrim, por njëkohësisht për monitorim të aktivitetit vertikal të procesit të integrimit evropian, tha ministri Beqaj.
Ministria për Integrim për momentin ka tri çështje prioritare koordinimi i imputit për raportin e progresit të cilin jemi duke e bërë dhe me këtë rast dua tu falënderoj të gjitha ministritë për dërgimin me kohë të raporteve të tyre të para. Prioriteti i dytë janë marrëdhëniet tregtare, ku është shënuar një progres. Çështja e tretë është funksionalizimi i të gjitha angazhimeve qeveritare të cilat janë enorme në drejtim të përgatitjes së vendit për liberalizimin e vizave, tha ministri Beqaj.
Ministri informoi edhe mbi takimet që i kishte gjatë vizitës në Bruksel dhe vlerësoi se këto takime dhe vizita në tërësi ishte e suksesshme,
Përveç takimit me komisionarin Shefan Fyle ministri Beqaj është takuar edhe me drejtorin e Drejtorisë për Ballkanin Perëndimor, Pjer Mirell dhe njësinë për Kosovën në kuadër të Drejtorisë së Përgjithshme për Integrim në Komisionin Evropian.
Ministri Beqaj informoi edhe lidhur me aktivitetet që do të pasojnë deri në dorëzimin e raportit te Komisioni Evropian deri më 1 tetor.
Ai theksoi se pas vendimit të djeshëm për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe B e H ne rend tash është Kosova dhe shprehu bindjen se shpejte Kosova do ta merr udhërrëfyesin për liberalizim e vizave dhe do të sigurohet procesi zyrtar i dialogut për liberalizimin e vizave me UE.
Në konferencë lidhur me rezultatet dhe sfidat në procesin e integrimit evropian folën edhe Bajram Rexhepi, ministër i punëve të brendshme, Ahmet Shala, ministër i ekonomisë dhe financave, Edita Tahiri, ministre e administratës publike dhe Sadri Ferati, ministër i administrimit te pushtetit lokal.
Kontribut të çmueshëm në këtë drejtim kanë dhënë edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, Univerzitetit te Kosovës dhe shumë pjesëmarrës tjerë.
Në fund konferenca ka aprovuar projektin e konkluzioneve të cilat do tu përcillen të gjitha institucioneve.