Indonezi, rritet alarmi për shpërthimin e vullkanit
Jakarta, 28 dhjetor - Autoritetet në Indonezi e rritën nivelin e alarmit rreth mundësisë së shpërthimit sërisht të vullkanit Anak Krakatoa, që u bë shkak për një cunami vdekjeprurës.
Zona e rrezikuar rreth vullkanit u zgjerua nga dy në pesë kilometra dhe banorët u paralajmëruan të qëndrojnë larg bregdetit.
Cunami i së shtunës shkaktoi vdekjen e më shumë se 400 personave dhe zhvendosjen e rreth 22 mijë të tjerëve.
Banorët e zhvendosur po përpiqen të përballojnë akthin e një cunami tjetër.
Shirat e rrëmbyeshëm të ditës së enjte po bëhen pengesë për operacionet e kërkimit të më shumë se 150 personave, të cilët rezultojnë ende të humbur, si dhe kanë rritur shqetësimin për përmbytje të tjera.