Indi, popullsia ka kaluar 1,2 miliardë banorë
New Delhi, 1 prill - Popullsia e Indisë është rritur me 181 milion njerëz në dekadën e fundit, duke shkuar në 1,21 miliardë banorë, treguan rezultatet e regjistrimit të popullsisë së publikuara sot.
Kjo do të thotë se aktualisht në Indi jetojnë më shumë njerëz se në SHBA, Indonezi, Brazil, Pakistan dhe Bangladesh, të marra së bashku.
Besohet se brenda 20 vitesh India do të shndërrohet në vendin më të populluar në botë, duke lënë pas Kinën, e cila aktualisht ka 1,3 miliardë banorë.
Regjistrimi në Indi tregoi një mungesë shqetësuese balance midis dy sekseve, me meshkujt që janë më të shumtë në numër, pasi trajtohen më mirë në familjet e varfëra dhe sepse shumë femra vazhdojnë të abortohen pas mësimit të seksit.
Aktualisht, janë 1 000 djem për 914 vajza nën moshën 6-vjeçare, ndërsa në vitin 2001 raporti ishte 1000 me 927.
Për momentin, në popullësinë e Indisë përfshighen 623,7 milionë meshkuj dhe 586,5 milionë femra, ndërsa indianët përbëjnë 17% të popullsisë së botës.
Krahina e Uttar Pradesh, më e populluara me 200 milion banorë, ka më shumë banorë se Anglia, Franca dhe Italia marrë bashkë, ndërsa rritja me 181 milion banorë në një dekadë do të thotë se India është shtuar me pothuajse sa popullsia e Brazilit.
Rritja është inkurajuar edhe nga një përmirësim i nivelit të jetesës, ndërsa numri i qytetarëve analfabetë është reduktuar në 26%, nga 35% i një dekade më parë.
Ndonëse Kina mbetet shteti më i populluar në botë, shteti komunist ka vendosur masa të rrepta kundër lindjeve, duke kufizuar shumicën e familjeve me një fëmijë. Në Indi nuk ka asnjë rregull që kufizon lindjet.