Indi, emetohet monedha me portretin e Nënë Terezës
New Delhi, 1 shtator - Në Indi, në kuadër të veprimtarive të ndërmarra për 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, është emetuar edhe monedha me portretin e Nënë Terezës.
Ministri indian i Financave Pranab Mukherje, ia prezantoi monedhën Presidentit Pratibha Patil.
Në këtë mënyrë, monedha u vu në funsksion të shtetit indian.
Angje Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza u lind në Shkup, në 26 gusht të vitit 1910 nga prindër shqiptare.
Që në moshën 12 vjeç kishte dëshirë të bëhej misionare "për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit". Në moshën 18 vjeç hyri në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette, në Dublin, që punonte me arkipeshkvinë e Kalkutës.
Nëna e saj superiore në Dublin dhe Papa kishin më shumë besim tek ajo. Dhe në fillim të vitit 1948, ajo lejohet të largohet nga urdhëri. Motra Agnes bëhet atëhere Nënë Tereza për nder të shenjtores franceze Sainte-Terese e Lisieux dhe vendoset në barakat e Kalkutës, në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhërin e saj te murgeshave të quajtur Misionaret e Bamirësisë. Nga ajo kohë iu dedikua tërësisht të varfërve.
Në vitin 1979, Çmimi Nobel i Paqes, shpërbleu punën e palodhshme të Nënë Terezës në favor të të varfërve dhe personave që ishin duke dhënë shpirt, duke i dhënë një autoritet botëror asaj që shumë prej adhuruesve e konsiderojnë si një shenjtore.
"Shenjtore e të varfërve", Nënë Tereza ndërroi jetë në 5 shtator 1997, në moshën 87 vjeç, pas një gjysmë shekulli shërbim ndaj të braktisurve në Indi dhe në mbarë botën.
Në vitin 1997, pak para se të ndahej nga jeta, Nënë Tereza kishte 4000 motra, të pranishme në 610 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës. Ajo prehet në selinë e Urdhërit të Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta.
Gjashtë vjet pas ndarjes nga jeta u shpall E Lumturuar nga Papa Gjon Pali i II, një moment që i ka hapur rrugë shënjtërimit të saj.