Independent: Bisedimet, triumf i forcës së butë të BE-së
Londër, 7 mars - Gazeta britanike Independent shkruan sot se fillimi i bisedimeve direkte midis Kosovës dhe Serbisë këtë javë në Bruksel është padyshim një triumf i forcës së butë të BE-së.
Sipas gazetës, duke qenë se ndërmjetësit e BE plotësisht janë të vetëdijshëm për rrethanat e bisedimeve, ata do të përpiqen të bëjnë një përparim kur është fjala për çështjet praktike.
Negociatat në Bruksel nuk do të zgjidhin brenda natës kontestet etnike dhe territoriale, të cilat kanë jetëgjatësi me shekuj, shkruan gazeta britanike, duke rikujtuar se për shumicën e serbëve Kosova mbetet pjesë e trashëgimisë së tyre kombëtare dhe se ata nuk nxitohen për të njohur pavarësinë e shpallur njëanshëm nga Prishtina, ndoshta kurrë nuk do ta njohin ate.
Sipas editorialit, barriera kyçe që duhet të tejkalohet është bllokada ekonomike serbe dhe refuzimi i saj për pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale.
Serbia po hapëron shpejt drejt BE-së dhe Qeveria atje po punon që vendi këtë vit të përfitojë statusin e vendit kandidat, para se të hyjë në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2012.
Por, Brukseli zyrtar i ka bërë me dije autoriteteve serbe se asnjëherë nuk do të përsëris gabimin e bërë me pranimin e Qipros, një vend që ka problem me fqinjët dhe për këtë tërë BE po mbahet në cilësinë e pengut, shkruan gazeta Independent.
Andaj, siç nënvizohet, Serbia patjetër duhet të jetë e gatshme për të biseduar me shqiptarët e Kosovës, nëse nuk dëshiron ndërprerjen e procesit të afrimit drejt BE-së, por Qeveria e Kosovës është nën presione të mëdha për të treguar fleksibilitet.
Për dallim nga Serbia, Kosova nuk është në pozicion për të ëndërruar anëtarësimin në BE, por ajo do të varet nga ndihmat evropiane dhe duhet patjetër të mbajë marrëdhëniet diplomatike me BE dhe SHBA-në.