Implementimi i IBM, paratë e doganave i kërkojnë për serbët e veriut
Beograd, 3 dhjetor - Përpara takimit të radhës në Bruksel, Beogradi kërkon që paratë e mbledhura nga pikat doganore në vendkalimet kufitare mes Kosovës e Serbisë të dërgohen në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe.
Të ardhurat nga doganat në Jarinë dhe në Bërnjak nuk do të shkojnë në buxhetin e Prishtinës, por në një llogari të veçantë, nga e cila më pas do tiu dërgohen komunave serbe në veri të Kosovës, ndërsa doganieret kosovarë atje do të jenë vetëm vëzhgues, shkruan e përditshmja serbe Veçernje Novosti.
Këtë gjë, sipas kësaj gazete, pala serbe do ta propozojë në dialogun teknik që zhvillohet në prag të takimit mes dy kryeministrave.
Ndërkohë, shefi i ekipit serb në dialogun teknik, Dejan Paviçeviq, ka thënë se protokoli teknik për marrëveshjet nuk mund të ndryshojë, edhe pse një gjë e tillë po kërkohet me ngulm nga serbët e veriut të Kosovës.
Do të mundohemi që kërkesat e njerëzve tanë ti përfshijmë në dokumentet, që do ta përcjellin zbatimin e IBM-së. Në këtë po punojmë në mënyrë intensive dhe shpresoj se do kemi sukses, ka theksuar Paviçeviq.