Imigrantët në Gjermani për ndryshimin e ligjeve
Berlin, 4 mars - Imigrantë nga Afrika dhe Lindja e Mesme, të cilët kanë kërkuar statusin e refugjatit në Evropë, shpesh ballafaqohen me periudha të gjata pritjeje para se qeveria të marrë vendim për ti lejuar të vendosen në vendet e BE-së në mënyrë të ligjshme. Vitin e kaluar, disa azil-kërkues e humbën durimin.
Në Gjermani, Austri dhe vende të tjera, ata u larguan nga qendrat e mbajtjes së imigrantëve dhe ngritën tenda për të tërhequr vëmendje mbi kauzën e tyre.
Një kamping i tillë me tenda qëndroi i hapur gjatë muajve të dimrit aktual në Berlin, me ndihmën e banorëve dhe imigrantëve të tjerë. Korrespondenti Michael Scaturro njofton nga Berlini:
Në tetor imigrantë nga e gjithë Gjermania marshuan në sheshin Oranienplatz në lagjen Kreuzberg të Berlinit në shenjë proteste ndaj asaj që e konsiderojnë si zvarritje nga ana e qeverisë në procesin e shqyrtimit të aplikimeve të tyre për statusin e azilantit.
Kampingu me tenda administrohet nga vetë imigrantët me ndihmën e banorëve vendas si Coco, një amerikane në të 20-tat:
Ne jemi vendosur në pikën e informimit, ku shumë imigrantë vijnë dhe na pyesin nëse mund ti ndihmojmë, për të gjetur një vend për të ngrënë, për tu larë, apo për të larë rrobat. Kemi një dosje të madhe me të dhëna për njerëzit në këtë zonë që kanë ofruar ndihmë, qoftë duke liruar dhoma në banesën e tyre, ose mundësinë për tu larë apo për të larë rrobat.