Igor Llukshiq zgjidhet kryeminisër i ri i Malit të Zi
Podgoricë, 30 dhjetor - Mali i Zi kalon në Vitin e Ri 2011 me një qeveri të re. Parlamenti zgjodhi të mërkurën në mbrëmje në kryeqytetin e vendit Podgoricë 34 vjeçarin Igor Llukshiq, ish-ministër Financash, si kryeministër të ri të vendit.
Llukshiq zë kështu vendin e Millo Gjukanoviqit, 48 vjeç, i cili për dy dhjetëvjeçarë me radhë ka qenë Nr. 1 i politikës malazeze.
Gjukanoviq dha dorëheqjen me arsyen e angazhimeve të reja si biznesmen dhe të përkushtimit ndaj interesave të tij private.
Kryeministri i ri Llukshiq, në dallim nga Gjukanoviqi që akuzohet nga drejtësia italiane për kriminalitet, konsiderohet një figurë e pastër dhe një ekspert i shkëlqyer i ekonomisë.
Llukshiq në deklaratën e tij bëri të qartë se do të bëjë një ndryshim të plotë të qeverisë, por nuk do të ndërpresë linjën e politikës së ndjekur nga ish-kryeministri Gjukanoviq.