26 Dhjetor 2024

ICO mbyll misionin në shkurt të 2012-ës

Prishtinë, 13 qershor - Përmbushja e pjesës më të madhe të dispozitave të Pakos së Ahtisaarit ka sjellë reduktimin e numrit të personelit në Zyrën Civile Ndërkombëtare (ICO) gjatë këtij viti në Kosovë, ndërkohë që udhëzimet e mëtejshme të Grupit Drejtues Ndërkombëtar do të jenë vendimtare për përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Tkurrja e pranisë së ICO-s, sipas burimeve diplomatike, të cilat i citon sot “Koha Ditore”, është pjesë e strategjisë për mbylljen e kësaj organizate, veprim ky që mund të korrespondojë me katërvjetorin e pavarësisë së Kosovës.

“Në mesin e shteteve anëtare të Grupit Drejtues Ndërkombëtar në qarkullim është hedhur ideja që Zyra Civile Ndërkombëtare të përfundojë misionin në shkurt të vitit të ardhshëm. Por ende nuk ka ndonjë vendim të caktuar për këtë”, ka thënë për \"Kohën Ditore\" një burim diplomatik.

Sipas tij, këto dilema pritet që të qartësohen në takimin e radhës së Grupit Drejtues Ndërkombëtar, që do të mbahet në korrik të këtij viti, e ku do të shqyrtohen ecuritë në lidhje me përmbushjen e dispozitave të Pakos së Ahtisaarit. “Nuk përjashtohet mundësia që shtetet anëtare të kenë opinione të ndryshme sa i përket kësaj çështjeje”, është shprehur ky burim.

Ndërkaq zëdhënësi i ICO-s, Andy McGuffie, ka pohuar se nuk mund të përcaktohet afati i përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur meqë ka ende dispozita të rëndësishme të Pakos së Ahtisaarit që duhen përmbushur, dhe se këtë vlerësim mund të bëjë vetëm GDN-ja.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar do të vendosë mbi të ardhmen e pavarësisë së mbikëqyrur bazuar në përparimin që arrin Kosova në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin. Detyra të rëndësishme të PGJS-së mbesin për t`u përmbushur prandaj dhe nuk mund të përcaktohet afati përfundimtar i mbikëqyrjes së tanishme”, ka thënë McGuffie.

Ai ka sqaruar se ICO-ja në bazë të udhëzimeve të GDN-së, që kishin hyrë në fuqi më 1 prill të këtij viti, ka reduktuar personelin dhe operacionet.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)