23 Dhjetor 2024

Hyseni kërkon nga Sudani dhe Tunizia ta njohin Kosovën

New York, 28 shtator - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, ka vazhduar edhe sot në New York serinë e takime me përfaqësues të shumtë nga shtete që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, në përpjekje për të nxitur shtetet që të vendosin sa më parë për njohjen e shtetit të Kosovës.

Në takime të veçanta, Ministri Hyseni është takuar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Sudanit, Ali Karti, Sekretarin për Marrëdhënie me Shtetet të Selisë së Shenjtë, kryepeshkopin Dominique Mamberti, dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Tunizisë, Kamel Morjane.

Një takim të veçantë gjatë ditës, Ministri ka zhvilluar edhe me homologun e tij nga Sllovenia, Ministrin e Jashtëm Samuel Žbogar, me të cilin ka folur për zhvillimet më të fundit rreth Kosovës.
 
Në takimet që ka zhvilluar me ministrat e jashtëm nga shtetet që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, Ministri Hyseni është përqendruar në rrethanat që janë krijuar pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës dhe rezolutën e 9 shtatorit të Asamblesë së Përgjithshme përkitazi me këtë vendim.


Qartësia e vendimit që ka marrë Gjykata, duke vendosur në favor të Kosovës në të gjitha pikat, dhe mirëpritja e këtij vendimi nga Asambleja e Përgjithshme, ka deklaruar Ministri, - ka bërë që të mos ketë tashmë asnjë arsye ligjore dhe politike për shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, që të vonojnë më tej njohjen e tyre. Përparimi që ka bërë shteti i ri dhe rrethanat e veçanta që kanë çuar në krijimin e tij kanë qenë po ashtu tema të rëndësishme në diskutimet e Ministrit.

Në takimin me Ministrin e Jashtëm të Sudanit, Ministri Hyseni është ndalur në veçanti te rrethanat e veçanta faktike dhe ligjore që e karakterizojnë rastin e Kosovës, e të cilat janë vënë në spikamë dhe nga vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, për të hequr kështu dilemat e mundshme për përdorimin e rastit të Kosovës nga persona ose entitete brenda Sudanit.

Në këtë kontekst, Ministri ka rikujtuar strukturën e fakteve, të cilat janë të aplikueshme vetëm ndaj Kosovës, dhe që përfshijnë: shpërbërjen e dhunshme dhe jo-konsensuale të ish-Jugosllavisë, federatë e cila nuk ekziston më dhe njësi përbërëse e së cilës ka qenë edhe Kosova; miratimin e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur me qëllim që të zgjidhë krizën e rëndë humanitare në Kosovë, e cila ka përcaktuar një proces politik për përcaktimin e statusit, duke marrë parasysh vullnetin e popullit; periudhën e administrimit të përkohshëm të Kombeve të Bashkuara; dhe shterimin, pas shumë vitesh, të të gjitha rrugëve për një zgjidhje të negociuar, e cila sipas Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ndonëse e “dëshirueshme”, nuk është kërkuar nga rezoluta 1244. 

Në të gjitha këto takime, Ministri Hyseni ka kërkuar nga homologët e tij që të shqyrtojnë sa më parë njohjen e Republikës së Kosovës, vendim ky që do të ndihmonte jo vetëm Kosovën dhe popullin e saj, por edhe vetë Republikën e Serbisë, sikundër që do të ndihmonte perspektivën evropiane të të dyja shteteve, si dhe fuqizimin e mëtejmë të paqes dhe stabilitetit në rajon, për të cilën pavarësia e Kosovës ka kontribuar aq shumë.

Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm i Sudanit, Ali Karti, i ka thënë Ministrit Hyseni se, e ka përcjellë nga afër atë që ka vendosur Gjykata dhe se, herët apo vonë, Sudani do ta përkrahë Kosovën.

Ndërkaq, Ministri i Punëve të Jashtme i Tunizisë, Kamel Morjane, është shprehur se, “pozicioni ynë ka qenë i qartë. Ne e kemi pritur mendimin këshillëdhënës. Tash që e kemi atë, ne do ta marrim shumë seriozisht”, duke e siguruar Ministrin Hyseni se, kjo kërkesë do të shqyrtohet në Qeveri.  

Edhe Sekretari i Vatikanit për Marrëdhënie me Shtetet, që ndryshe njihet dhe si Ministri i Jashtëm i Selisë së Shenjtë, ka thënë se, Selia e Shenjtë është duke i ndjekur nga afër të gjitha zhvillimet rreth Kosovës, si dhe është duke e përcjellë evoluimin e situatës. 
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)