Hungaria zë i fuqishëm i Kosovës evropiane
Berlin, 22 nëntor - Me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwelle dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Hungarisë, János Martonyi, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, merr pjesë në konferencën me ministrat e jashtëm të shteteve të Evropës Juglindore, i cili fillon punimet nesër në Berlin.
Në kuadër të kësaj konference, ministri Hoxhaj, sot ka zhvilluar një takim bilateral me ministrin e Punëve të Jashtme të Hungarisë, János Martonyi.
Ministri Hoxhaj e ka informuar homologun hungarez për progresin në Kosovë, me theks të veçantë për reformat drejt integrimeve evropiane.
Hoxhaj ka kërkuar nga Martonyi mbështetjen e Hungarisë në procesin e liberalizimit të vizave dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila siç tha ministri Hoxhaj, do të ishte marrëdhënie kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
Ministri i Jashtëm i Kosovës ka vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, duke shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve në fushat tjera, ndërmjet shteteve dhe shoqërive të dy vendeve.
Hoxhaj e ka informuar homologun hungarez edhe për normalizimin e relacioneve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, proces në të cilin, duhet të zgjidhen të gjitha çështjet e hapura bilaterale ndërmjet dy shteteve.
Ministri i Punëve të Jashtme i Hungarisë, János Martonyi, ka thënë se Hungaria mbështet rrugën evropiane të Republikës së Kosovës.
Kosova ka bërë një punë shumë të mirë në përmbushjen e kritereve evropiane dhe Hungaria është zë i fuqishëm në mbështetje të Kosovës në këtë proces, tha Martonyi, duke përshëndetur fillimin e normalizimit të relacioneve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Konferenca, e krijuar në vitin 2008 nga Instituti Aspen, iu mundëson shteteve të Ballkanit Perëndimor, Turqisë dhe SHBA-ve, një platformë të mirë për diskutime për çështje të ndryshme aktuale dhe sfidat e Evropës Juglindore.
Në këtë konferencë po marrin pjesë ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Kosovës, Kroacisë, Maqedonisë, SHBA-ve, Turqisë, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.
Nikoqirë të konferencës janë Ambasada e Hungarisë në Gjermani, Instituti Aspen dhe partnerët e bashkëpunimit, Ministria e Jashtme e Gjermanisë dhe ajo e Hungarisë.
Sonte, në kuadër të konferencës, ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Guido Westerwelle, ka organizuar një darkë, ku do të jenë të pranishëm të gjithë ministrat e Ballkanit Perëndimor, Turqisë, Hungarisë, kurse nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të jetë i pranishëm zëvendës-ndihmës sekretari Amerikan i Shtetit, Philip Reeker.