Hungaria konfirmoi mbështetjen e pakursyer për Kosovën
Prishtinë, 29 mars - Në vazhdim të qëndrimit në Hungari, delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, sot u prit nga kryetari i Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, László Kövér.
Në takimin me kryetarin Krasniqi dhe pastaj me tërë delegacionin, Kövér konfirmoi mbështetjen e pakursyer të vendit të tij për shtetin e ri të Kosovës. Ai e quajti vizitën historike edhe për faktin se ky është takimi i parë i nivelit të lartë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Prioritet i presidencës hungareze të Bashkimit Evropian, tha ai, është integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor.
Ai u shpreh i kënaqur me nivelin e marrëdhënieve shumë të mira midis Republikës së Hungarisë dhe Republikës së Kosovës.
Kryetari Krasniqi, pasi falënderoi mikpritësin dhe vendin e tij për kontributin e madh që i ka dhënë Kosovës së re, çmoi lart rolin e presidencës hungareze të Bashkimit Evropian, duke besuar fuqishëm për kontributin e saj në integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe të Kosovës në veçanti.
Në mënyrë të posaçme, u theksua nevoja e ndihmës për Kosovën në drejtim të liberalizimit të vizave dhe më pastaj të integrimit euroatlantik.
Të dy kryetarët ishin dakord për nënshkrimin së shpejti, ndoshta në një nga takimet e ardhshme, të një marrëveshjeje bashkëpunimi midis dy parlamenteve tona.
Në këto takime të ngrohta dhe miqësore, u diskutuan edhe shumë çështje të bashkëpunimit ndërshtetëror dhe ndërparlamentar.
Krasniqi e ftoi kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.
Delegacioni i Kuvendit, i cili po shoqërohet nga ambasadorja e Republikës së Kosovës në Hungari, znj. Shkëndije Sherifi, sot u prit edhe nga personalitete të tjera hungareze, si: sekretari i Shtetit i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Hungarisë, Zsolt Németh, pastaj Richárd Hörcsik, kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane, kurse në orët e pasdites do të takohet me Zoltan Toth, sekretar i përgjithshëm i Asociacionit të Evropës Qendrore për Zgjedhje, dhe nesër, me Apostolin e Vatikanit në Budapest, Shkëlqesinë Juliusz Janusz.