Hungaria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën
Prishtinë, 15 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, gjatë ditës së tretë të vizitës shtetërore në Hungari, u prit nga kryeministri i Hungarisë, zotëri Viktor Orban.
Kryeministri hungarez Orban, pasi shprehu kënaqësinë e ardhjes së Presidentes së Kosovës në vendin e tij, i vlerësoi marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë dhe tha se vendi i tij i ka dhënë përkrahje dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në proceset e saj integruese.
Kryeministri Orban tha se të dyja vendet duhet të rrisin nivelin e bashkëpunimit në veçanti në fushën e ekonomisë dhe tha se është i nevojshëm promovimi i biznesit hungarez në Kosovë.
Zotëri Orban theksoi se Hungaria do të ndihmojë Kosovën në rrugën e saj evropiane dhe do të angazhohet në inkurajimin e vendeve anëtare të BE-së, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë këtë.
Kryeministri hungarez tha se vendi i tij është një shembull i mirë në shkëmbimin e përvojave për integrim të Kosovës në BE dhe theksoi se për këtë asaj i duhet një mbështetje e fuqishme e vendeve evropiane me ndikim. Kryeministri Orban tha se rajoni i Ballkanit duhet ta ketë të hapur rrugën e integrimeve dhe u angazhua për vazhdimin e procesit të anëtarësimit në BE për të gjitha vendet e rajonit.
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, duke e falënderuar kryeministrin hungarez për mikpritjen e ngrohtë gjatë vizitës shtetërore në Hungari, tha se marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve po zhvillohen gjithanshëm si në fushën politike ashtu edhe në ato shtetërore por vlerësoi se marrëdhëniet në fushën e ekonomisë janë shumë të rëndësishme.
Ajo tha se Hungaria mund të luaj një rol të madh në përgatitjen e Kosovës në procesin e integrimeve euroatlantike, sepse përvoja e saj është e rëndësishme për Kosovën në plotësimin e kushteve dhe të standardeve për anëtarësim.
Presidentja Jahjaga tha se Hungaria mund të ndihmojë në lobime të reja për Kosovën dhe vazhdimi i ndihmës nga Hungaria do të ndihmojë edhe në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe në vendosjen e marrëdhënieve të reja, që gjithë Ballkanin Perëndimor e ndihmojnë në rrugën e integrimeve në BE. Ajo tha se Kosovës i duhet marrëdhënia kontraktuale me BE-në dhe ndihma e Hungarisë në lobimin tek 5 vendet që ende nuk kanë njohur, në veçanti tek vendet në fqinjësi të saj.
Presidentja e Republikës tha se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja me Republikën e Serbisë, po zhvillohet për faktin se nuk ka asnjë alternativë tjetër se sit ë detyrohet Serbia që të përmbushë obligimet e saj, edhe ndërkombëtare, karshi Kosovës. Ajo tha se e përkrah dialogun sepse është në të mirë të të gjithë qytetarëve, por edhe sepse është e vetmja rrugë që të arrihen marrëveshje që bazohen në praktikat dhe standardet evropiane.
Presidentja Jahjaga dhe kryeministri hungarez, Orban, diskutuan edhe për një numër çështjesh të tjera që janë me interes për të dyja vendet.