HRW: Turqia po shkel lirinë e shprehjes
Ankara, 29 mars - Grupi ndërkombëtar për të drejtat e njeriut Human Rights Watch e cilësoi vendimin e qeverisë turke për të bllokuar faqen e internetit YouTube si një \"lëvizje katastrofike\" për lirinë e shprehjes dhe të drejtën për informacion.
Turqia bllokoi hyrjen në YouTube, pasi aty qarkulloi një video e asaj që mendohet të jetë një regjistrim audio i zyrtarëve të lartë turq ndërsa diskutojnë plane për një ndërhyrje të mundshme ushtarake në luftën civile Sirisë.
Organizata prestigjoze Human Rights Watch i bëri thirrje Turqisë të lejojë hyrjen në YouTube, por edhe në Twitter, të cilin e bllokoi javën e kaluar. Grupi i të drejtave të njeriut me bazë në Nju Jork thotë se kufizimet shkelin detyrimet e Turqisë sipas ligjeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës së brendshme të vendit.
Kryeministri turk Rexhep Tayip Erdogan u tha dje përkrahësve në një tubim, se bllokimi ishte çështje e sigurisë kombëtare.
Por disa qytetarë turq besojnë se ndalimi i faqeve është i lidhur me zgjedhjet lokale të së djelës që shihen si një referendum mbi autoritetin e kryeministrit:
\"Mendoj se është politike, patjetër. Çdo gjë është e planifikuar për zgjedhjet. Këto gjëra bëhen për të zhdukur gjithçka. Bëhen për të kontrolluar opinionin e njerëzve dhe për të ndryshuar perceptimin e tyre. Është diçka shumë e trishtuar për popullin turk.\"
\"Ata nuk mund të fshehin gjërat nën rrogoz duke bllokuar lirinë e për informacion të njerëzve. Mendoj se ata duhet të marrin parasysh këtë fakt. Më duket diçka qesharake.\"
Zoti Erdogan citohet të ketë thënë se përgjegjëse për rrjedhjet është një lëvizje e
drejtuar nga një klerik islamik në Shtetet e Bashkuara.
Javën e kaluar ai u dënua nga opinioni ndërkombëtar, kur ndaloi përdorimin e rrjetit social Twitter, pasi në të kishin qarkulluar materiale të tjera audio që dukej se implikonin kryeministrin dhe djalin e tij në korrupsion.
Një gjykatë turke vendosi të mërkurën se bllokimi ishte i paligjshëm.